2014-12-08 16:37:22

Papa në Sheshin e Spanjës, për të nderuar Zojën e Papërlyer


Sot pasdite, sipas traditës, Papa Françesku shkoi në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për të vendosur lule e për t'u lutur në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX, më 1854.RealAudioMP3
Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30 një zjarrfikës i dhuroi Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Lulet e para të bardha te këmbët e kësaj shtatoreje i vuri Papa Piu XII më 1957.
Ndërsa sot, te këmbët e Shtatores së Zojës të Zënë pa Mëkat, u gjunjëzua për herë të dytë, Papa Françesku. Gjest feje e devocioni, të cilin bashkësia e krishterë e përsërit nga viti në vit, gati si të donte t’i ripohonte besnikërinë Asaj, që i siguron ndihmën dhe mbrojtjen amtare në të gjitha rrethanat e jetës së përditshme.
Papa u nis nga Shtëpia e Shën Martës në orën 15.45, për t’u gjunjëzuar para Zojës Salus Populi Romani, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
Rreth orës 16.15 ishte në në Sheshin e Spanjës, ku i drejtoi Zojës së Papërlyer lutjen:
“O Mari, Nëna jonë,
sot populli i Hyjit në festë,
të nderon, o e Papërlyer,
e ruajtur përherë nga molepsja e mëkatit.
Pranoje nderimin që po të bëj,
në emër të Kishës në Romë
e në botën mbarë.
Vetëdija se ti, Nëna jonë,
je krejt e lirë nga mëkati,
na mbush me ngushëllim.
Vetëdija se e keqja mbi Ty s’ ka pushtet,
na mbush me shpresë e fuqi
në luftën e përditshme që duhet ta luftojmë
kundër kërcënimeve të të Keqit.
Por në këtë luftë nuk jemi vetëm, nuk jemi jetimë:
sepse Jezusi, para se të vdiste mbi Kryq,
na dhuroi Ty, që të kishim pranë si Nënë.
Ne pra, dhe pse mëkatarë,
jemi bijtë e tu, bijtë e së Zënës pa Mëkat,
të thirrur për shenjtërinë, që në Ty shkëlqen
për hir të Hyjit, që në zanafillë të jetës.
Frymëzuar nga kjo shpresë
kërkojmë sot mbrojtjen tënde amtare
për ne, për familjet,
për këtë Qytet, për botën mbarë.
Pushteti i dashurisë së Hyjit,
që ty të mbrojti nga mëkati i rrjedhshëm,
me ndërmjetësinë tënde,
njerëzimin e çliroftë
nga çdo skllavëri shpirtërore e materiale
dhe bëftë të ngadhënjejë
në zemrat e në ngjarjet,
plani i shëlbimit të Zotit.
Premto që edhe në ne, bijtë e tu,
hiri të fitojë mbi kreninë
e të bëhemi të mëshirshëm
si i mëshirshëm është Ati ynë qiellor.
Në këtë kohë, që na çon
kah Festa e Lindjes së Jezusit,
na mëso të shkojmë kundër rrymës,
të zhvishemi, të përulemi,
të dhurohemi, të dëgjojmë, të heshtim
e të zbrazemi nga vetvetja,
për t’i hapur vend bukurisë së Hyjit,
gurrë e gëzimit të vërtetë.
O Nëna jonë e Papërlyer, lutu për ne!”.
Gjatë kremtimit, Papa vendosi lulet e bardha pranë shtyllës, dhuratë për Zojën e Papërlyer. Vijuan pastaj, leximet, lutjet, litanitë e Zojës dhe bekimi apostolik.









All the contents on this site are copyrighted ©.