2014-12-08 14:38:18

Gubbio: Papa ndez dritat e bredhit. Drita e Krishtlindjes, dritë e Jezusit


Në Gubbio u ndezën dritat e Bredhit vigan të Krishtlindjes, skicuar me llamba mbi mal. Nuk është, pra, Shpellë Betlehemi, por Ipeshkvi i Gubbios foli edhe për Shpellën e madhe, në çastin kur Papa, me një tablet, niste impulsin, që ndezi llambat e Bredhit të Krishtlindjes mbi Malin Ingino, në Gubbio. Prandaj Françesku e quan “Shpellë Betlehemi” në fjalët e urimit, edhe ato të ndriçuara nga drita e Këshndellës:


“Ndërsa ndezim dritën e Shpellës së Betlehemit, duam që drita e Krishtit të jetë në shpirtin tonë. Krishtlindja pa dritë nuk është Krishtlindje. Vezulloftë përherë drita në shpirt, në zemër, e mbretëroftë falja e të tjerëve, larg armiqësive, që janë errësirë. Qoftë me ju drita e Krishtit, e bukura. Këtë dëshiroj për ju të gjithë, në çastin e ndezjes së dritave të Shpellës së Betlehemit. Shumë faleminderit për dhuratën tuaj, është e bukur. Edhe unë ju dhuroj urimet e mia më të përzemërta: paqja e lumturia qofshin me ju të gjithë! Nëse keni errësirë në shpirt, lypini falje Zotit. Është mundësia e Krishtlindjes, për ta pastruar shpirtin, eh! Mos kini frikë, meshtari është i mëshirshëm, i fal të gjithë, në emër të Hyjit, sepse Hyji fal gjithçka. Drita qoftë gjithnjë në zemrat tuaja! Me këtë urim po e ndezim.
Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt. Gëzuar Krishtlindjen e lutuni për mua!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.