2014-12-07 14:11:55

Rabini Skorka për trafikun e njerëzve: maksimumin e dënimit për skllavëruesit


Pati jehonë në të gjithë botën, takimi i javës së kaluar ndërmjet feve në Vatikan, që solli nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët kundër trafikut të njerëzve. Papa Françesku dhe 11 përfaqësues të feve të botës e quajtën skllavërimin modern “krim, që lëndon njerëzimin”, u kërkuan besimtarëve dhe qeverive të bëjnë gjithçka për ta çrrënjosur këtë plagë të rëndë, që e kanë mbi trup rreth 30 milion vetë. Ndër nënshkruesit e dokumentit historik, edhe rabini hebre Abraham Skorka, rektor i Seminarit Rabinik Latinoamerikan të Buenos Ajresit, mik i Atit të Shenjtë. Ja ç’na tha në mikrofonin tonë:
Kjo firmë ka rëndësi të jashtëzakonshme në këtë çast, sepse, fatkeqësisht, siç përmendi dikush këtu, vazhdojmë të jetojmë në një realitet skllavërimi, si ajo e dymijë vjetëve më parë. Njerëzimi, që ka arritur një zhvillim teknologjik kaq të madh, që i kupton shumë gjëra në nivelin shkencor, nuk mund të pranojë, në asnjë mënyrë, asnjë lloj skllavërie. Sot, kemi skllavërim, sepse shfrytëzojmë punën e njerëzve, kemi trafik organesh e shumë forma të tjera, që bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Kjo nuk duhet të bëjë pjesë në realitetin njerëzor. E jona është britmë, që shpresoj të jehojë fort, në të gjitha nivelet, që të merren masat e nevojshme e të dënohen të gjitha format e skllavërisë si krim, që lëndon njerëzimin, pavarësisht nga numri i viktimave. Edhe sikur një person i vetëm të çohet drejt skllavërimit, përgjegjësit duhen penalizuar me maksimumin e dënimit. Duhet të jetojmë në një botë më të mirë. Zoti na i ka dhënë aftësitë mendore e ato duhen shoqëruar me etikën e Biblës.







All the contents on this site are copyrighted ©.