2014-12-07 16:43:07

Mariologu Grasso: dogma e Zënies pa mëkat të Zojës, shenjë për njerëzimin e ri


Nesër pasdite Papa Françesku do të shkojë në Sheshin romak të Spanjës, për nderimin tradicional tek këmbët e shtatores së Zojës së Papërlyer. Natën e kësaj feste të madhe, Antonino Grasso, pedagog i mariologjisë në Institutin e Lartë të Shkencave Fetare të Shën Lukës, në Katania, flet për dogmën e Zënies pa faj të Zojës së Bekuar:RealAudioMP3

Përgjigje: - Zënia pa faj pa mëkat, është njëra nga katër dogmat mariane: amësia hyjnore; virgjëria e përhershme e të ngjiturit në qiell me shpirt e me korp – shpallur nga Papa Piu IX - më 8 dhjetor 1854, me Bulën Ineffabilis Deus. Kjo dogmë pohon se Maria u ruajt nga mëkati i rrjedhshëm, që nga çasti i zënies së saj. U zu në kraharorin e s’ëmës, pa mbartur mbi vete mëkatin e zanafillës të cilin, duke nisur nga Adami e Eva, e mbartim të gjithë, që në çastin e zënies. Ky çlirim nga mëkati origjinal, është pasojë e hirit të plotë, dhuruar Marisë nga Hyji, jo për fenë e saj, as për ndonjë meritë, por pse kështu deshi vetë Zoti. Tani Zoja e Papërlyer kremtohet më 8 dhjetor, domethënë gjatë Kohës së Ardhjes, prej këndej, lidhet ngushtë me përgatitjen për Krishtlindje. Thënë me dy fjalë, Hyji e mbrojti Marinë nga mëkati i rrjedhshëm, pikërisht që të përgatiste një banesë të denjë për të Birin e mishëruar. E edhe Piu IX, në Bulën, që përcakton dogmën, e lidh pazgjidhshmërisht këtë ngjarje me Krishtin.

Pyetje: - Ç’kuptim ka sot dogma e Zënies pa Mëkat? Ç’na mëson?
Përgjigje: - Mbi të gjitha, Zoja e Zënë pa Mëkat përfaqëson njerëzimin, si shëmbëllim i Zotit. Njerëzimin e paprishur nga mëkati, në të cilin Krijimi rimerr trajtën e zanafillës. Maria i përket planit të hershëm të Hyjit, para rënies së njerëzimit në mëkat. Ajo lind si agim i freskët, në të cilin përfshihet simbolikisht mbarë krijimi i ri, i pastruar, i kthyer në shkëlqimin e zanafillës, përmes veprës së Krishtit. Duke shikuar Zojën e Papërlyer, nuk mund të mos mendojmë se fillimi i ri për njerëzimin e përtërirë është i mundur, sepse në të, falë flijimit të të Birit, mbarë krijimi rikremtoi bashkimin me qiellin, si korp i pajtuar rishtas me shpirtin e, prej këndej, njeriu - siç pohon Shkrimi Shenjt - mund të hovë përsëri nga gëzimi para Hyjit të vet. Pasojë logjike e gjithë kësaj, është se të krishterët duhet t’ia ngulin sytë Marisë, të shëlbuarës së parë, duke e shikuar si model për një jetë të pastër e të panjollë, për të cilën jemi të thirrur, me ndihmën dhe hirin e Hyjit. “E Shenjtnueshmja” vijon të jetë në Kishë, siç dëshmon përvoja e përhershme e shenjtorëve, prijëse e sigurt, që na çon kah majat e përsosurisë ungjillore e u kujton gjithë të pagëzuarve përkryerjen e shenjtërisë, thirrjen për shenjtëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.