2014-12-07 14:13:26

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 7 dhjetor


Dhuratat nuk më përkasin
Dhuratat, që i mbart në enë balte, nuk më përkasin.
Si të punonim në një laborator, ato na jepen për t’i përdorur, por jo për t’i përvetësuar.
Inteligjenca, aftësia krijuese, pasioni, dhimbsuria, aftësia për të komunikuar, për të dëgjuar, kujdesi për të tjerët, aftësia për të këshilluar e për të ndihmuar, kompetencat e natyrshme e të fituara… Janë këto disa nga talentet, që na i kujton Ungjilli, e të gjitha, për t’u vënë në jetë, pa i fshehur.
Ndoshta nuk do të kemi mundësi t’i zhvillojmë me të njëjtën thellësi e sasi.
Sidoqoftë, të gjithë një talent e kanë: talentin për të dhuruar vetveten. E për të shprehur, përmes tij, dinjitetin e tyre si krijesa, burra e gra që, në dhurimin e vetes, gjejnë kuptimin e jetës dhe realizimin e tyre.
Sidoqofshin, talentet nuk duhen fshehur, nga frika se mund të na i marrë kush a se mund të na zhduken papritur: në se mbeten shterpë, pa u zhvilluar, humbasin shkëlqimin e forcën.
Data e skadencës së talenteve përkon me fundin e ditëve të jetës sonë, pa harruar se mund të investohen e të japin fryte të çmuara në çdo moshë.
Po ku t’i investosh? E dimë se çdo investim bëhet për të prodhuar pasuri. Por këtu nuk është fjala për ndonjë lojë në bursë, ku asnjë pasuri ekonomike nuk prodhohet, pa dëmtuar investuesit.
Talentet, që na janë besuar, po t’i investojmë, krijojnë gjithnjë të mira, në dobi të të afërmit. Kjo nuk duhet harruar kurrë. Është investim në bankën e qiellit, ku as ndryshku as tenja nuk mund t’i brejnë, t’i ronitin, t’i shkatërrojnë. E fitimi i njëqindfishtë do të derdhet në ditët tona.
Këtu pasuria nuk prodhohet, por krijohet gjithnjë e re, si në një dhurim të vazhdueshëm.
Sot dua të vlerësoj atë, që më ka dhuruar Zoti. E t’ia kthej dyfish, trefish… qindfish, sipas zemrës së Tij.

“… e ia kthejmë Zotit, Hyjit të tejetlartë e tejet të madh, të gjitha të mirat, e pranojmë se të gjitha të mirat janë të tijat e për gjithçka e falënderojmë të gjithë, sepse gjithçka vjen prej Tij. E vetë i tejetlarti e i madhi Zot i vërtetë i ka e i jepen e vetëm Ai i merr të gjitha nderimet e të gjitha lavdet e bekimet, të gjitha falënderimet e lavdërimet, sepse e tija është çdo pasuri e vetëm Ai është i mirë”.
Shën Françesku








All the contents on this site are copyrighted ©.