2014-12-07 14:13:05

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 6 dhjetor


Thesar në enë balte
Hap pas hapi, në këtë udhë, vërej se të gjithë e kemi diçka të përbashkët e askush nuk mund të thotë se është më i pasur se tjetri: në çantën e shtegtarit kemi historinë e së kaluarës sonë, me kushtëzime e zakone, me trashëgimi e përvoja, me të mira e të këqija.
Jo gjithnjë peshon lehtë një barrë e tillë mbi shpinë. Dikush është tepër i ligshtë për ta mbartur. Të tjerë janë më të fortë, më guximtarë, më të vendosur. E mbartin gjatë.
Po barra e trashëgimisë shpesh ta thyen kurrizin më dysh, duke të penguar t’i lartosh sytë kah caku, sepse duhet të shikosh poshtë, ku të shkelin këmbët.
Po unë nuk dua të ndalem, si për të kërkuar ngushëllim, e as ta shkarkoj peshën, që ma rëndon hapin. Dua vetëm të rrëmoj në skutat e çantës së shtegtarit, që t’i shikoj për një çast të gjitha sendet, shpesh të ngatërruara a të fshehura.
Motet e trishta kanë lënë në çantën e shtegtarit vraga. Që ma ndajnë zemrën më dysh. Dysh mes dy vendesh: tokës e qiellit. Tokës, ku vdes bashkë me kohën e territ, e qiellit, ku ngjallem me kohën e dritës. Qielli zgjon në mua ndjenjën e hapësirës. E bekoj diellin. Sepse nuk dua të jem si mot i lig, i vrarë në shpirt. E as të jetoj me plagë të mbuluara nën lëkurën time të brishtë.
Nuk dua. Sepse jam i vetëdijshëm për pasurinë e madhe që kemi në thellësi të shpirtit. I vetëdijshëm se jemi thesar, margaritar i çmuar, diamant vezullues. Është dinjiteti vetjak e vlera vetjake që na ndihmon të bëjmë mirë, gjatë shtegtimit tonë.
Kemi një thesar në shpirt. Një pasuri të pashterrshme, e cila na krijon mundësi të duam pa kushte e të shijojmë gëzimin, që buron nga dhurimi i vetvetes.
Është thesari, që na jep dinjitet e na bën t’i shëmbëllejmë vetë Zotit, sepse vetëm dashuria e tij na jep përsëri jetë. Lumturia nuk ka ngjyra të tjera.

“Ne të gjithë jemi enë balte
të brishta e të mjera, por në të to
ruhet thesari i pamasë, që kemi mbi vete”(Papa Françesku, 24 shkurt 2014).








All the contents on this site are copyrighted ©.