2014-12-07 18:24:02

Ati i Shenjtë ndez dritat e Bredhit të Gubios


Me një tablet, Papa Françesku ndez sot dritat e Bredhit të Krishtlindjes në Gubio të Italisë. Megjithëse jo fizikisht, Ati i Shenjtë bëhet i pranishëm në sheshin e 40 martirëve, falë lidhjes me video nga Shën Pjetri, realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit. Gubio e fillon ceremoninë që më 17.45 me muzikë e këngë Krishtlindjesh, me kortezhin historik që gjarpëron nëpër rrugët e qytetit e sidomos me shfaqjen e flamurtarëve të famshëm, që njihen në të gjithë Italinë për akrobacitë e tyre me flamuj. Papa ndez Pemën rreth orës 18.20-18.25 dhe përshendet nga ekrani të pranishmit.
Kujtojmë se Bredhi i Krishtlindjes në Malin “Ingino” të Gubios është më i madhi në botë i llojit të vet. Që nga viti 1981, një grup vullnetarësh përvijojnë pemën me drita mbi shpatin e malit, i cili lartohet mbi qytetin e Umbrias. Ky bredh “i vizatuar” me drita është i lartë 750 metra, i gjerë 450 metra dhe, përvijohet nga mëse 250 drita. Mbi Bredhin e Krishtlindjes, kometa që i lajmëroi Mbretërit Dijetarë për lindjen e Jezusit, zë një sipërfaqe prej 1.000 metrash katrorë. Që nga viti 1991, Bredhi ka hyrë në Guiness. Para Papës Françesku, ai është ndezur nga Benedikti XVI, në vitin 2011 dhe, nga presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano, më 2012. Bredhi do të mbetet i ndezur deri më 6 janar 2015.







All the contents on this site are copyrighted ©.