2014-12-05 14:50:27

Të drejtat individuale dhe pasuria e përbashkët, në fjalimet e Françeskut


Muajin e fundit Françesku ka mbajtur disa fjalime të rëndësishme. Ndërmjet një mori tematikash, vlen të kujtohet posaçërisht njëra, që theksohet fort në 5 fjalime, në më pak se dhjetë ditë: çështja e të drejtave individuale. Po rikujtojmë disa nga reflektimet e Papës, për t’i pasur gjithnjë në qendër të vëmendjes.

Në Nxitjen apostolike Evangelii gaudium (24 nëntor 2013) Papa Françesku nënvizon me forcë se “është për t’u dënuar fakti që, deri të drejtat njerëzore, mund të përdoren si përligjje për mbrojtjen me çdo kusht të të drejtave vetjake të cilat shndërrohen në ligj të më të fortit, atje ku shkelen të drejtat e njerëzve, të familjeve, të popujve a të shteteve më të ligshta. Kisha mban krahun e të fundëmve, atyre që shoqëria i rrënon e i flak jashtë radhëve të saj”.
Mbi këtë argument, Papa u rikthye disa herë, pak ditë më vonë: më 25 nëntorin e kaluar, duke folur në Parlamentin evropian, ftoi për të mos rënë në mëdyshjet, që mund të lindin nga keqkuptimi i konceptit të të drejtave të njeriut e nga shpërdorimi paradoksal i tyre. Ekziston, vijoi, prirja, gjithnjë më e theksuar, për mbrojtjen e të drejtave individuale, tundimi për individualizëm e individualistë, njerëz të shkëputur nga detyrat e nga e mira e përbashkët. Në fakt, shpjegoi, koncepti i së drejtës nuk duket se shoqërohet më me atë të detyrës, po aq i rëndësishëm, që e plotëson të parin. Vërehet, kështu, prirja për të afirmuar të drejtat e individit, pa llogaritur aspak se çdo njeri është i lidhur me rrethana të caktuara shoqërore, në të cilat të drejtat e detyrat e njeriut lidhen ngushtë me ato të të tjerëve, e edhe me të mirën e përbashkët të mbarë shoqërisë. Kështu, përfundoi, nëse e drejta e secilit nuk lidhet hamonishëm me një të mirë më të madhe, arrihet në konceptimin pa kufizime e bëhet, kështu, burim i konflikteve e i dhunës.
Duke folur po këtë ditë në Këshillin e Evropës, Papa Françesku kujtoi se kur secili i mat veten dhe e veprimet e veta me kutin e vet, pa pyetur fare për të tjerët, i hapet rruga e afirmimit subjektivistik të të drejtave. E kështu koncepti i së drejtës njerëzore, që ka në vetvete vlerë universale, zëvëndësohet nga ideja e së drejtës vetjake. Kjo çon në çkujdesjen për të tjerët e në favorizimin e globalizimit të indiferencës, që lind nga egoizmi. Ky individualizëm të bën të varfër e kulturalisht shterp. Nga individualizmi indiferent, lind kulti i pasurisë, që nuk ngopet kurrë, me të cilën përkon kultura e hedhurinës, ku jemi zhytyr deri në fyt.
E, duke folur me Fao-n, më 20 nëntor, Papa pohoi: “Sot flitet shumë për të drejtat, duke i harruar gjithnjë më shpesh detyrat; ndoshta shqetësohemi tepër pak për ata, që vuajnë nga uria. E kështu, ndërsa flitet për të drejta të reja, i urituri është aty, në skaj të rrugës, me dorën e shtrirë për të lypur të drejtën e qytetarisë, të drejtën e dinjitetit, të drejtën e kujdesit për shëndetin, për bukën e përditshme. Kërkon dinjitet, jo lëmoshë!
Në vendet perëndimore, mbrojtja e të drejtave vetjake krijon edhe rrezikun e sulmit mbi të drejtën për të mos u bindur për arsye të ndërgjegjes, kur është fjala për temat etike themelore.
E Papa Françesku, duke e thelluar këtë temë në takimin me mjekët katolikë, mbrojti plot pasion jetën njerëzore. Vërejti se duhet flakur tutje mëshira e rreme, që propozon abortin, eutanazinë dhe “prodhimin” e fëmijëve. Jeta, theksoi, është gjithnjë e shenjtë e njerëzit nuk mund të trajtohen kurrë si kafshë për eksperimente.
Duhet të impenjohemi, prandaj, për mjekimin e njeriut, pa harruar kurrë se jeta është e shenjtë e dinjiteti i njeriut, i padhunueshëm. Françseku pohoi me forcë se misioni i Kishës lidhet ngushtë edhe me jetën njerëzore, posaçërisht kur njeriu kalon çaste të vështira. Kujtoi edhe se, që kur ishte meshtar, pati dëgjuar shumë herë vërejtje të ndryshme për abortin, nga njerëz, që e shikonin si problem fetar. Jo, pohoi Papa, nuk është problem fetar, e as filozofik: është problem shkencor, sepse kemi të bëjmë me një jetë njerëzore e nuk lejohet ta zhdukësh jetën njerëzore, për të zgjidhur një problem. Nuk duhet harruar se si në mendimin e lashtë, ashtu edhe në atë modern, fjala ‘të mbytësh’ ka të njëjtin kuptim. E njëjta gjë vlen për eutanazinë e fshehur.
Françesku e përfundoi fjalimin duke e inkurajuar shoqatën e mjekëve katolikë të vijojë në rrugën e nisur 70 vjet më parë, gjithnjë në shërbim të jetës, në dinjitetin, shenjtërinë e pacënueshmërinë e saj. Misioni juaj si mjekë, vijoi Papa, ju vë ditë për ditë në lidhje me forma të ndryshme të vuajtjes: ju ikurajoj, prandaj, t’i merrni mbi vete, si samaritanë të mirë. Besnikëria ndaj Ungjillit të jetës dhe respektimi i saj, si dhuratë e Hyjit, nganjëherë kërkon marrjen vendimeve guximtare, që shkojnë kundër rrymës e që, në rrethana të veçanta, mund të arrijnë edhe në kundërshtim për arsye të ndërgjegjes. Më pas, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, shtoi, me qortim të thellë: “Por të eskperimentosh është keq. Të ‘bësh’ fëmijë, në vend që t’i pranosh si dhuratë, është keq. Është të luash me jetën. Kini mendjen, eh? Se ky është mëkat kundër Krijuesit: kundër Hyjit Krijues, që i krijoi gjërat kështu”.
Të drejtat individuale vënë në rrezik të drejtat e fëmijëve, të atyre që nuk kanë zë, sepse janë të vegjël: për këtë u fol më 17 nëntorin e kaluar në Vatikan, gjatë takimit të rëndësishëm, kushtuar temës: “Burri e gruaja përplotësojnë njëri-tjetrin”. Françesku nënvizoi se revolucionarizimi i dokeve e i moralit, shpalos shpesh flamurin e lirisë pa cak, gjë që ka si pasojë rrënimin shpirtëror e material të një mori qeniesh njerëzore, sidomos të më të ligshtëve. Posaçërisht dëmton rëndë fëmijët, që kanë të drejtë të rriten në një familje, të kenë një baba e një nënë, të aftë për të krijuar mjedisin e përshtatshëm për mirërritjen, zhvillimin dhe pjekurinë e tyre fizike e shpirtërore. Familja, shpjegoi Papa, është fakt antropologjik, nuk mund të cilësohet me koncepte të natyrës ideologjike, që kanë forcë vetëm në një çast të historisë e më pas, bien poshtë. Nuk mund të flitet sot për familje konservatore ose progresiste: familja është familje!
Përveçse në këto pesë fjalime, mbajtur gjatë një jave të vetme, Françesku i foli shumë për këtë temë edhe lëvizjes Schoenstatt, më 25 tetor: familja e martesa, tha, nuk janë sulmuar kurrë kaq shumë, sa ç’sulmohen sot. Familja nuk është një formë shoqate. Prandaj ndjehet fort kriza e saj, sepse goditet nga të katër anët, duke marrë plagë jo të pakta.
Përballë të drejtave individuale, janë në rrezik edhe të drejtat e prindërve, posaçërisht në sektorin tejet delikat të edukimit. Një nga fjalimet më të forta lidhur me këtë argument, Papa Françesku ia drejtoi, më 11 prillin e kaluar, Zyrës ndërkombëtare katolike të fëmijëve (Bice): duhet mbrojtiur e drejta e prindërve për edukimin moral e fetar të fëmijëve të tyre, nënvizoi. E, lidhur me këtë, pohoi se për të është krejtësisht i papranueshëm çdo eksperiment edukativ me fëmijët. Me fëmijët e të rinjtë nuk mund të bëhen eksperimente. Nuk janë kafshëza, për t’u përdorur në laborator. Tmerret e manipulimit edukativ, që jetuam gjatë diktaturave të mëdha njerivrasëve të shekullit XX, nuk janë zhdukur ende; janë aktuale. Kanë ndërruar vetëm lëkurën e, të veshura me lëkurë moderne, i nxisin të rinjtë e fëmijët të ecin në rrugën diktatoriale të “mendimit unik”. Më thoshte ndonjë javë më parë një edukator i madh, duke pasur parasysh projektet konkrete të edukimit: “Nganjëherë nuk dihet nëse, me këto projekte, e çon fëmijën në shkollë, apo në ndonjë kamp riedukimi”.Së fundi, për të drejtat e njeriut dhe diktaturën e relativizmit Françesku i pati folur edhe Trupit Diplomatik, më 22 mars 2013, duke nënvizuar se sot mund të vihet në rrezik vetë bashkëjetesa ndërmjet njerëzve: “Nuk mund të ketë paqe të vërtetë, nëse secili e mat veten me masën e vet, e nëse gjithkush mund të kërkojë kurdoherë e kudo, vetëm të drejtën e vet, të mirën e vet, pa u shqetësuar fare për të mirën e të tjerëve, të të gjithëve, sepse të gjithë kanë të njëjtat të drejta. E duhet edhe t’i gëzojnë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.