Më 5 dhjetor kalendari kujton shën Pelinin, martir nga Durrësi
Më 5 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull
VII me origjinë nga Durrësi. Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620. Ishte
murg bazilian, opozitor i herezisë monotelite në Bizant, së pari, gjatë perandorit
Herakli I e më pas, gjatë Kostantit II (648). U transferua në Brindizi së bashku me
dishepujt e vet, Gorgonin, Sebastin dhe Çiprion. Ndeshja ndërmjet Romës dhe Bizantit
u ashpërsua deri atje, sa papa Martini I e shkomunikoi patrikun Serxho dhe heretikët,
por u arrestua, u internua në Kostandinopojë e më pas në Kerson të Krimesë, ku vdiq
në vitin 655. Ndërkaq, në Brindizi, Pelini i qëndroi besnik e pas vdekjes së ipeshkvit
të atëhershëm Proklit, u zgjodh në krye të dioqezës së Brindizit. Kundërshtoi fuqishëm
qëndrimet e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine,
më urdhër të basileusit (pushtetarit) e internuan në Korfinio (Abruco e sotme), ku
u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662. U
shpall shenjt në vitin 668 nga Çiprio, pasardhësi i tij në krye të dioqezës së Brindizit.
Në atë rast, u hartua edhe një “Jetë” e shenjtit, ndoshta nga vetë Çiprio, i cili
mund të ketë ngritur në Brindizi, edhe vendin e parë të kultit të shën Pelinit. Për
shekuj, ka qenë pajtor i Brindizit së bashku me shën Leuçon. Në vitin 1771 iu kushtua
një elter në Katedralen e qytetit, ku martirizimi i tij paraqitet në një pikturë të
Oronco Tizos. Shën Pelini është pajtor i dioqezës së Sulmona-Valvës. Një bazilikë
e shenjtit ndodhet në Korfinio e kulti i tij në Marsika dëshmohet edhe nga emri i
fshatit shën Pelini, pranë Avecanos, ku mendohet të ketë kaluar shenjti, pas një udhëtimi
në Romë.