Më 6 dhjetor 1689 vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës personaliteti i shquar
i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare, ipeshkvi i jashtëzakonshëm imzot Pjetër Bogdani.
Ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar
dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Imzot Pjetër Bogdani shquhet
jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, pra si bari shpirtëror por edhe si atdhetar,
dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit
dhe vendit nga zgjedha osmane si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve.
Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, pra ungjillëzuese dhe atë atdhetare
e politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si formues i ndërgjegjes së shqiptarëve,
si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike
“Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve", ipeshkvi
shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare
dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare. Vepra e imzot Pjetër
Bogdanit “Çeta e profetëve” u botua më 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës
në Itali, dhe u rishtypin më 1691 dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër teologjike e ipeshkvit
shqiptar imzot Pjetër Bogdanit cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe
dhe mbetet një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Vepra 'Çeta e
profetëve' është vepër me përmbajtje teologjike. Imzot Pjetër Bogdani (lindi rreth
1625 në Has - vdiq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë) - prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv,
teolog dhe filozof shqiptar nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe
Kosovë. Lindi në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac,
Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik
e atyre teologjike shugurohet prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e
në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret
në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë.
Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë
në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar,
emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i
bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më
1675 e shkruan librin Çeta e profetëve dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propaganda
Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin
e librit. Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot
Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes
Ndre Bogdani. Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip
të punuar nga Ndreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit
1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim. Libri
Cuneus Prophetarum botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo. Imzot Pjetër
Bogdani njofton rregullisht Selinë e Shenjtë të Romës dhe botën mbi gjendjen njerëzore,
pra shoqërore dhe ekonomike si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë duke
shkruar Relacionet nga Shkupi: “Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania
e Servia” ( Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë
1687–1688): Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita
të gjitha bashkësie kishtare në vende të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin 1689 depërton
ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani niset me ushtrinë
për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje
sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot.
Vdes më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon
Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit
e nxjerrin nga varri trupin e tij. Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve"
(Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik
me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin
Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë
sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në
krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër
të rëndësishëm këtë libër. Karakteri origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë
relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është
mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton
rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej
fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike,
poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës
së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm
në themelin e gjuhës së sotshme shqipe. Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente
të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës
burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi
shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në
relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave
që ai drejtoi si bari shpirtëror. Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe,
për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen
në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë
për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit shqiptar
libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe
çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije
të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat
e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të
lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin
e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin kishtar në
përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime
sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia
dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.