2014-12-05 16:37:08

Françesku: zhvillimi ekonomik është bazë për realizimin e të drejtave të familjes


Familja ka një pozicion të pazëvendësueshëm e themelor, si në shoqërinë civile, ashtu edhe në atë kishtare, shkruan Papa në një Mesazh, drejtuar Festivalit të Familjes, që u mbajt sot në Riva del Garda, provinca e Trentos, me temë: “Ekosistemi, jeta e puna, punësimi femëror, lindja e fëmijëve, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik”.
Sot nuk mjafton më të pohosh sa rëndësi ka familja - thekson Papa në mesazh - duhet një strategji jashtëzakonisht e guximshme në favor të saj, për t’i ridhënë hov të ri zhvillimit ekonomik të vendit, duke parë edhe problemet e zhvillimit të sotëm demografik.
Për Papën, ka ardhur koha të vihen konkretisht në jetë të drejtat e familjes, sepse është vetë ardhmëria e shoqërisë, që varet nga instituti familjar, i cili ka nevojë për mbështetje e garanci.
Pikërisht për arsye të angazhimit e të përgjegjësisë, që kërkon nxjerrja në dritë e fëmijëve dhe edukimi i tyre, familjet kanë nevojë për ndihmë nga ana e agjencive publike si dhe nga ndërmarrjet. Koha kërkon përkim ndërmjet angazhimit publik e privat, ndërmjet sipërmarrjeve e familjeve.
Duhet rishikuar, e me shumë vëmendje, drama e papunësisë, e sidomos në radhët e të rinjve. Papa mendon për hartimin e politikave familjare, duke kujtuar statutin juridik e shoqëror të familjeve në përgjithësi, e, sidomos, ndihmën që u duhet dhënë familjeve më nevojtare në planin material e moral.
Françesku kërkon të vihet në qendër të vëmendjes edhe punësimi i grave. Shumë gra ndjejnë nevojën t’u njihen më mirë të drejtat e tyre, duke vlerësuar detyrat që kryejnë në sektorë të ndryshëm të jetës shoqërore e profesionale, në gjirin e familjes e të shoqërisë. Disa prej tyre janë tejet të lodhura e gati-gati të shtypura nën barrën e angazhimeve e të detyrave, nësa pak gjejnë mirëkuptim e ndihmë. Duhet menduar, ua qan hallin Papa grave, që gruaja të mos ngarkohet me punë tepër të rënda, e shtyrë nga nevoja për të përballuar kërkesat ekonomike të jetës familjare. E të mos ketë orare tepër të zgjatura, që ia zënë gjithë kohën, sa në punë, aq në shërbim të familjes. Duhet pasur mirë parasysh se angazhimet e gruas në jetën familjare, janë kontribut i paçmuar në të gjitha nivelet e jetës shoqërore e i përkasin edhe ardhmërisë së shoqërisë.
Së fundi Papa pohoi edhe një herë, me forcë, se instituti familjar është e do të jetë gjithnjë qeliza jetike e shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.