Kisha Katolike ka hyrë në udhën e përgatitjes për Krishtlindjen. Në Kohën e Ardhjes,
që filloi të dielën e kaluar, besimtarët presin lindjen e Birit të Zotit, duke dëgjuar
Fjalën e Hyjit, duke reflektuar mbi të, për ta shpallur pastaj “edhe mbi çati”, siç
na mëson Jezusi. Këto tri fjalë “dëgjim, reflektim, kumtim” janë pjesë e një trilogjie,
me të cilën rubrika jonë do t’ju shoqërojë deri në Krishtlindje. Sot, do t’ju flasim
për “dëgjimin”.
Nëse do të
hapnim fjalorin, do të gjenim se “të dëgjosh” do të thotë të ndjekësh me kujdes atë,
që thotë tjetri e t’ia vësh veshin, pra të tregosh interes për atë që thotë. Në psikologji,
dëgjimi është mjet i të pesë shqisave të njeriut për ta kuptuar e njohur kohën dhe
hapësirën, që na rrethon e, për të komunikuar me vetveten e me botën. Pra, dëgjimi
është proces psikologjik e fizik, që shndërrohet pastaj në emocione e në nocione. Kuptohet
kështu, ç’rëndësi merr për fenë dëgjimi i Fjalës së Zotit e sa ndikon ai në emocionet
e në nocionet, që lidhen me të, sidomos kur dëgjojmë jo vetëm me mendje, por edhe
me zemër. Pse është e rëndësishme ta dëgjojmë Fjalën e Zotit? Për këtë na vjen në
ndihmë Shkrimi i Shenjtë. Në Letrën drejtuar Romakëve, në kapitullin X, thuhet se
“besimi vjen nga predikimi e, predikimi është shpallja e Fjalës së Zotit”. Predikimi,
kur bëhet në emër të Jezu Krishtit, shoqërohet me veprimin e Shpirtit të Shenjtë,
që e shndrit fjalën dhe e bën më të kuptueshme, më të qartë, e kthen në fjalë shpirtërore,
që prek zemrat aty ku asnjë fjalë njerëzore nuk mund të arrijë. Në Letrën drejtuar
Hebrenjve, sqarohet edhe më tej pse është e rëndësishme ta dëgjojmë këtë Fjalë. “Vërtet,
fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh.
Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat
dhe dëshirat e zemrës”. Përmes Fjalës, pra, Shpirti i Shenjtë e ngacmon zemrën e njeriut,
e bën atë të kuptojë mëkatin, të pranojë drejtësinë dhe gjykimin e Hyjit, duke i dhënë
kështu mundësinë të reflektojë mbi jetën e vet e të veprojë për ta përmirësuar atë.
Në këtë mënyrë, Shpirti i Shenjtë i zbulon njeriut mjerimin e tij shpirtëror para
Zotit, nevojën e tij për falje e shëlbim, i tregon emrin e vetëm, drejtësinë e vetme
para Zotit për t’u falur e shëlbuar e ky emër është ai i Jezu Krishtit Zot. E kur
dëgjimi i Fjalës së Zotit bëhet në Kishë së bashku me të tjerët, njeriu, përveç shërbesave,
gjen edhe lavdin, adhurimin, lutjen dhe bekimet e Hyjit. Edhe këtu na vjen në ndihmë
Psalmi 133, që thotë: “Oh, sa punë e mirë e gjë e bukur është kur vëllezërit jetojnë
së bashku: si vaji ai më i miri në kokë, që zbret në mjekër, në mjekrën e Aronit,
që zbret kindeve të petkave të tija, porsi vesa në Hermon, që bie në malet e Sionit.
Sepse atje Zoti e jep bekimin, jetën e amshueshme”.