Papa për anëtarët e FOCSIV: të varfërit të mos kthehen në rast për përfitime
Duhet të luftojmë kundër shkaqeve strukturore të varfërisë. Kjo ishte thirrja e Papës
Françesku për anëtarët e FOCSIV (Federata e Organizmave të Vullnetariatit me frymëzim
të krishterë). Të varfërit, u tha atyre, nuk mund të kthehen në rast për fitime. E
për këtë, Ati i Shenjtë citoi don Tonino Bello-n, i cili, e përshkruante figurativisht
Kishën, si amvisë, që vë përparësen dhe përkulet për t’u shërbyer vëllezërve në vështirësi,
në stilin e Samaritanit të Mirë, pa interes: “Ka kaq shumë
nevojë të dëshmojmë vlerën e dhurimit pa interes: të varfërit nuk mund të bëhen rast
për fitime! Sot, varfëria e ka ndryshuar fytyrën – kemi varfëri të reja – disa nga
të varfërit presin tjetër: duan të jenë protagonistë, organizohen e sidomos, zbatojnë
në praktikë atë solidaritet, që ekziston ndërmjet të vuajturve, ndër të fundmit”. Ju,
u tha Papa Françesku vullnetarëve të krishterë, duhet të jeni mjeti në shërbim të
protagonizmit të të varfërve. Solidaritet me të varfërit do të thotë të mendojmë për
të mirën e të gjithëve: “Do të thotë edhe të luftojmë kundër shkaqeve strukturore
të varfërisë, si: pabarazia, mungesa e punës dhe e shtëpisë, mohimi i të drejtave
shoqërore e ato të punës. Solidariteti është një mënyrë për ta bërë historinë bashkë
me të varfërit, duke u larguar nga vepra, në dukje altruiste, por që e nxisin tjetrin
drejt pasivitetit”. Ndër shkaqet kryesore të varfërisë, Ati i Shenjtë përmendi
sistemin ekonomik, që plaçkit natyrën. Gjithësia e krijuar prej Zotit nuk është pronë,
që mund ta përdorim si të duam e as pronë e pak vetëve, theksoi Papa. Krijimi është
dhuratë e mrekullueshme e Zotit e për të duhet të kujdesemi, duke e përdorur me respekt
për të mirën e të gjithëve. Shkaku i dytë, që vuri në dukje Ati i Shenjtë, janë luftrat.
Në këtë fushë, u kërkoi organizatave të krishtera të bëhen ura ndërmjet popujve, aty
ku shkallëzimi i dhunës duket se nuk i lë vend arsyes. Pastaj, foli për refugjatët,
të detyruar të jetojnë në kampe: “Këta njerëz në botë, ikin nga tmerret e luftës!
Sa persekutohen për shkak të fesë, detyrohen të braktisin shtëpitë, vendet e kultit,
tokat, të afërmit! Sa jetë të prishura! Sa vuajtje, sa shkatërrim! Para gjithë kësaj,
dishepulli i Krishtit nuk tërhiqet, nuk e kthen kokën nga ana tjetër, por përpiqet
ta ndihmojë këtë njerëzim plot dhimbje, me afërsi e mikpritje ungjillore”. Vetë
Papa Françesku pati fjalë afërsie për emigrantët dhe refugjatët, që lënë pas kushte
të rënda jetese dhe rreziqe të çdo lloji. Është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve
- institucioneve, organizatave jo qeveritare, bashkësive kishtare – për të promovuar
bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe kulturave të ndryshme: “Lëvizjet
e emigracionit kërkojnë mënyra të përshtatshme mikpritjeje, që nuk i lënë emigrantët
në mëshirën e detit e të bandave të trafikantëve pa skrupull. Njëkohësisht, është
i nevojshëm bashkëpunimi konkret ndërmjet shteteve për rregullimin dhe administrimin
e frytshëm të këtyre fenomeneve”. Të jeni dëshmitarë të dashurisë, u tha
Papa Françesku vullnetarëve të FOCSIV, veprimtarë të paqes, protagonistë të drejtësisë
e të solidaritetit, duke e ndjekur me gëzim udhën e besnikërisë së njeriut ndaj Zotit
e duke vënë gjithnjë Jezusin, në qendër të jetës.