Më 4 dhjetor kalendari përkujton shën Gjon Damasheni
Më datën 4 dhjetor, kalendari i Kishës katolike përkujton shën Gjon Damashenin, murg
e teolog i shekujve të parë të Kishës, meshtar e dijetar i Kishës. Ai që u pagëzua
me emrin Jahja ibn Sargun ibn Mansur, lindi aty nga gjysma e shekullit VII në një
familje arabe kristiane e vdiq në vitin 749. E zgjodhi jetën e manastirit, përpara
jetës së oborrit mbretëror, konsiderohet si përfaqësuesi i fundit i patrologjisë greke
dhe lindore për veprat e tij monumentale, ndërmjet të cilave shquhet "Burimi i dijes".
Veprimtaria letrare e shën Gjon Damashenit është jashtëzakonisht e larmishme:
ishte poet e autor tekstesh liturgjike; gojëtar, filozof e apologjet. Bir i njërit
nga funksionarët më të lartë të Khalifit të Damaskut, Gjoni i vogël pati shokë lodrash
princin trashëgimtar të vendit, që më vonë do t'i propozonte detyrën e t'et si ministër
i financave. Po ai, më shumë se oborrin mbretëror, më tepër se ofiqet e luksin
e pallatit, parapëlqeu të mbyllej në kuvendin e Shën Sabës, pranë Jerusalemit, ku
u shugurua meshtar dhe thelloi njohuritë e tij teologjike, duke u përgatitur kështu
për detyrën e predikatarit në bazilikën e Varrit të Krishtit. Nga Jerusalemi zëri
i tij nisi të dëgjohej në të gjithë botën e krishterë, në mbrojtje të çështjeve më
të shenjta. Mbeti i famshëm shkrimi "Tre diskutime në favor të figurave të shenjta"
në mbrojtje të figurave kundër ikonathyersve, të udhëhequr nga vetë perandori i Bizancit,
Leoni III. Iu desh ta paguante shtrenjtë këtë akt të guximshëm kundër vetë Perandorit. Në
këtë diskutim filozofik, Shën Gjoni pati rastin të zbulonte gjithë përgatitjen e tij
teologjike, vënë në dispozicion jo vetëm të Patrikut të Jerusalemit, por të mbarë
Kishës. Kështu në Koncilin II të Nikesë ( i 7-ti ekumenik) ai u vlerësua jashtëzakonisht
jo vetëm për diturinë e jashtëzakonshme por kryesisht për shenjtërinë e tij. Shën
Gjon Damasheni qe ndër të parët që bëri dallimin ndërmjet adhurimit e nderimit të
figurave në kultin publik e privat: mund të adhurohet shpirtërisht vetëm Zoti, ndërsa
ikonat mund të përdoren për t’iu drejtuar atij, që paraqitet në vetë figurën. Në homelitë
e tij kushtuar kësaj çështjeje Gjon Damasheni përdor argumente të pasura me përfytyrime
mahnitëse. Nuk adhuroj materien – pohon ndërmjet tjerash teologu i lashtë – por krijuesin
e materies. Në lidhje me këtë ide tejet të rëndësishme Gjon Damasheni e shikon
edhe nderimin e shenjtorëve, me bindjen se shenjtorët e krishterë, që u bënë pjesëtarë
të ringjalljes së Krishtit, nuk mund të konsiderohen thjeshtë si të vdekur. E pastaj
vetë misteri i Mishërimit të Zotit është shembulli më i lartë, që na bind se materia,
apo lënda, bëhet ‘banesa e Hyjit’. E këtë koncept edhe një herë mund ta shprehim me
fjalët e Gjon Damashenit: “E kështu biri i Hyjit, ndonëse gjithnjë në formën e Zotit,
uli qiejt e zbriti.. pranë shërbëtorëve të tij… duke bërë më të renë ndërmjet të gjitha
gjërave, gjënë e vetme të re nën këtë diell, përmes së cilës shprehu vërtetë pushtetin
e pafundmë të Hyjit”.