2014-12-04 14:42:53

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 4 dhjetor


Unë mund të falënderojRealAudioMP3
Duhet të kesh zemër, që të dish edhe të falënderosh.
Pa harruar se, me një falënderim të thjeshtë, mund ta hijeshojmë jetën tonë të përditshme, marrëdhëniet, që jetojmë në të e, së fundi, t’ia dhurojmë edhe tjetrit, çka e morëm falas.
Mirënjohja është përgjigje për të mirën, që na trokiti në portë papritur e pakujtuar.
Të falënderosh, të bekosh, të lavdërosh, janë sjellje të bukura e pozitive. Më kujtojnë sa shumë i detyrohem atyre, që i shoh, e sidomos Zotit, që nuk e shoh me sytë e ballit, po që e ndjej në thellësitë e shpirtit, prej nga më jep forcë e jetë ditë për ditë.
Mirënjohja ndihmon për të zbritur në thellësitë e marrëdhënieve e të lidhjeve e, njëherësh, për t’ua hapur zemrën lartësive qiellore.
Sa vlerë të pamasë ka falënderimi, që del sinqerisht nga thellësia e zemrës. Shndrit syrin e tjetrit, shemb muret, që pengojnë lidhjet ndërmjet njerëzve, ndez në shpirt shkëndijën e jetës e të gëzimit të vërtetë. Mirënjohja shëron: është fjalë magjike, që të bën të dalësh nga vetvetja, ku je mbyllur, e ku të merret fryma.
Kur, pastaj, mëson të falënderosh Zotin, zbulon se jeta nuk varet nga ti. Këtë jetë e more si bekim. Atëherë edhe mundimet, që të rëndojnë mbi shpinë çdo ditë, nuk i jeton më si mohim të vetë jetës. Mëson të falënderosh për të mirën që të dhurohet e për forcën, që të bën ta përballosh edhe të keqen. Me bindjen se gjithçka përfundon mirë në jetën e njeriut, që di t’i falet nderës Zotit.
Sot premtoj të falënderoj më shumë se dje, e nesër, edhe më shumë.
Ilaç i thjeshtë ky: e zgjon zemrën prej gjumit dhe e pastron fjalën nga çdo kuptim i dyshimtë.

“Gjëja më e rëndë për atë, që nuk beson në Zotin,
është se nuk ka kë të falënderojë.
Më shumë se për ta ndihmuar në mjerim,
njeriu ka nevojë për Zotin,
që të mund t’i shprehë mirënjohjen e vet!”.
(Eias Canetti , Zemra e fshehtë e orës, Adelphi, Milano, 1987)








All the contents on this site are copyrighted ©.