2014-12-04 12:15:06

Ipeshkvi i Delhit dënon djegien e Kishës


“Një akt, që duhet dënuar jo vetëm sepse blasfem e i kryer nga urrejtja kundër bashkësisë së krishterë, por edhe pse ndodhi në kryeqytetin e vendit të martirizuar vazhdimisht nga aksidente me natyrë ndërfetare”. Kështu shprehet imzot Anil Couto, kryeipeshkëv i Delhit, duke komentuar kalljen e zjarrit në Kishën e Shën Sebastianit, në rrethinat lindore të metropolit, më 1 dhjetorin e kaluar.
Tani për tani policia nuk ka arrestuar askënd me akuzën e vënies së zjarrit, ndonëse fakti që zjarri është vënë me dashje, u vërtetua nga gjetja e dy teneqeve vajguri të zbrazura. Dje paradite, mijëra manifestues bllokuan Vikas Marg, një nga rrugët kryesore të Delhit, duke kërkuar të bëhen menjëherë hetimet e duhura për zjarrin e vënë në kishë.
I pyetur nga agjencia AziaNjuz, Sajan K. George, kryetar i Global of Indian Christians (Gcic), e quan djegien e kishës së Shën Sebastianit “njollë mbi indin laik të Indisë”. Koha e shenjtë e Ardhjes merret gjithnjë shënjestër nga elementë që janë kundër shoqërisë, që duan të ushqejnë dyshimin, grindjen, dizarmoninë fetare ndërmjet bashkësive- pohon ai.Sipas liderit të krishterë, “mbrojtja dhe siguria e vendeve të kultit janë detyra urgjente, që u takojnë autoriteteve. Djegia me dashje e kishës së shën Sebastianit është shkelje e rëndë e të drejtave të katolikëve për të gëzuar liri të plotë fetare. Fakti që qeveria qendrore dhe administrata vendase nuk kanë arritur ta sigurojnë këtë të drejtë, duhet parë si dështim, duke pasur parasysh edhe se autoritetet nuk mund e nuk duhet të lajnë duart, duke e harruar përgjegjësinë e tyre në këtë drejtim kaq të rëndësishëm. Fajtorët duhen kapur e duhen dënuar, ashtu si duhet të sigurohen të gjitha garancitë kushtetuese për bashkësinë paqësore të krishterë në Indi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.