2014-12-02 14:25:00

Françesku në Xhaminë blu: dialogu me islamin përparon


Shtegtimi i Papës në Turqi përfundoi, por jehona e tij do të ndjehet për një kohë shumë të gjatë. Sidomos kur bëhet fjalë për probleme themelore, të ardhmërisë së njerëzimit, ndërmjet të cilëve, bashkimi i plotë i të krishterëve e dialogu me Islamin, në një kohë kur fetë duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht, për t’i dhënë përgjigje thirrjes së dëshpëruar të njerëzmit të plagosur nga “Lufta III Botërore”, siç e quan Papa, luftë që ka shpërthyer prej kohe e s’po di të mbarojë.Kujtojmë se ditën e dytë të shtegtimit, Papa shkoi nga Ankaraja, në Stamboll, e aty vizitoi Xhaminë Blu, shprehje konkrete e dëshirës së Kishës katolike për dialog me Islamin, në kohë të vështira, plot me konflikte në katër anët e botës.
Për këtë na flet atë Federiko Lombardi, që ishte përkrah Papës gjatë gjithë vizitës në Turqi. Është sintezë e tri ditëve të këtij shtegtimi, me ndikim të fuqishëm mbi ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar.
Përgjigje: - Ishte vizitë interesante, jo vetëm në këndvështrimin kulturor, por edhe në atë shpirtëror. Myftiu i Madh, para kamares së lutjes, Mihrabit, i shpjegoi Papës syret e Kuranit, ku përcaktohet ky vend i lutjes: janë syre, që flasin për Zakarinë profet, për zënien e Gjon Pagëzuesit e të Marisë, sipas traditës, që kanë myslimanët. E pastaj, pasoi çasti i heshtur. Unë do ta quaja “adhurim i heshtur”, pikërisht sepse në bisedë me Myftiun e Madh, Papa, dy herë rresht, ngulmoi mbi adhurimin e Zotit, që duhet ta ushtrojnë si të krishterët, ashtu edhe myslimanët. “Jo vetëm ta lavdërojnë e ta lumnojnë Zotin, por edhe ta adhurojnë”, tha Papa. E prandaj mendoj se në çastin e vizitës në këtë vend fetar, Papa adhuroi heshturazi Hyjin Absolut dhe misterin e Tij. Pastaj, përveç vizitës në Xhaminë Blu, që më duket si kulmi i përmasës ndërfetare të këtij shtegtimi, Papa shkoi në Shën Sofi, bazilikë e famshme e Justinianit, monument arkitektonik tronditës, një nga më të jashtëzakonshmit në historinë e njerëzimit, që ne, natyrisht, na kujton një bazilikë të madhe kushtuar Dijes së Zotit, domethënë, të Krishtit. Ky monument i jashtëzakonshëm, bazilikë në kohën e perandorëve të krishterë të Lindjes deri në rënien e Kostandinopojës, më pas u bë Xhami e tani, që nga kohët e Ataturkut, muze: nuk ka, pra, funksion fetar, por natyrisht gjithçka në këtë ndërtesë të jashtëzakonshme të kujton madhështinë e përshpirtërisë lindore e sidomos, madhështinë e misterit të Hyjit. Papa vizitoi gjithë vëmendje, i prirë nga drejtuesit e vendit, disa nga mjediset më të rëndësishme të bazilikës: vendin ku takoheshin Perandorët romakë të Lindjes, figurën e madhe të Marisë, që ndodhet në fund të absidës. E pastaj, la kushtimin e vet në Librin e Artë, shkruar me shkronja greke: "Αγία Σοφία του Θεού” (Dija e Shenjtë e Hyjit), që është pikërisht emri i kushtimit i bazilikës së Dijes së Hyjit. Çasti tjetër, veçanërisht i ngarkuar me domethënie, ishte ai i takimit me grigjën e tij të vogël. Papa shkoi në Selinë e Delegacionit Apostolik, pranë katedrales, e aty, në oborr, u takua me një grup të madh katolikësh, që u përkisnin bashkësive e riteve të ndryshme, pjesë përbërëse e bashkësisë katolike të Stambollit. Çast tejet festiv: natyrisht, të gjithë dëshironin t’i shtrëngonin dorën Papës, ta përshëndesnin nga afër, të bënin fotografi me të... Imzot Françeskini, Kryetar i Konferencës ipeshkvnore, shqiptoi një përshëndetje të shkurtër. Ishte çast tejet i përzemërt, në të cilin Papa, më në fund, takoi një grigjë të vogël katolike, në tokën turke.

Pyetje: - Ç’kuptim ka për këtë grigjë, takimi me Papën?

Përgjigje: - Natyrisht është ngushëllim i madh ky takim me Papën, që erdhi në këtë tokë, ku katolikët janë tepër të pakët: rast pa dyshim i jashtëzakonshëm për ata, që mundën të shikonin kreun e bashkësisë së Kishës universale e edhe rast për t’u takuar së bashku katolikët e të gjitha riteve. Gjë, që nuk është aspak e lehtë. Besoj se një nga mesazhet që jep Papa në këto raste, kur vjen të vizitojë katolikët e Lindjes, është edhe ky i bashkimit, i bashkëpunimit të mirë ndërmjet katolikëve të riteve të ndryshme, të cilat, në Lindje, janë të shumta. Këtu janë jo vetëm latinët, por edhe koptët, sirët e armenët: janë, pra, katër bashkësi, që duhet, në një farë mënyre, të formojnë një bashkësi më të madhe. E natyrisht, kur i pamë, të gjithë së bashku, në festë rreth Papës, pamë qartë edhe se Pjetri është shenjë e unitetit të Kishës katolike.

Pyetje: - Po për pjesën ekumenike të shtegtimit, natën e dytë, ç’mund të na thoni?

Përgjigje: - Oh, po! Patriku Bartolomeu ishte i pranishëm që në mëngjes, ditën e dytë. Kishte dalë në aeroport, në Stamboll, për ta pritur Papën, që në çastin e parë kur të vinte këmbën në këtë qytet. Patriku e di mirë se vizita për festën e Shën Andreut në Patriarkanë dhe takimi me të, ishin arsyet kryesore, që e shtynë Papën të shkelte në tokën turke. Prej këndej, i shprehu mirënjohjen e thellë, sepse është mbështetje e madhe për Patriarkanën, për ortodoksët, që jetojnë në këto troje, gjë aspak e lehtë edhe për ta, por edhe inkurajim i madh për rrugën drejt unitetit, për ekumenizmin, në të cilin edhe ata janë të angazhuar, ashtu si katolikët. Është vijim i lidhjeve të bukura të miqësisë vëllazërore ndërmjet Papës Françesku e Patrikut Bartolomeu, nisur që me Papën Benedikti, por që tani ka një limfë të re. Me këtë, u bënë tashmë katër takime shumë kuptimplote. E kjo do të thotë se dialogu ndërmjet dy liderëve më të rëndësishëm të ortodoksisë e të katolicizmit është shumë i shpeshtë. E kjo krijon shpresa të mëdha për kauzën e ekumenizmit në mbarë botën.

Pyetje: - Një koment të shkurtër për ditën e parë të shtegtimit…

Përgjigje: - Natyrisht ishte ditë takimi me një vend jo kristian, si Turqia, e në situatën e sotme të Lindjes së Mesme. Papa shprehu nderimin e tij për këtë popull, duke theksuar edhe rëndësinë që ka për lidhjen ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet Azisë e Evropës, sidomos tani, në situatën e konfliktit, që vijon në këtë rajon e edhe në atë të strehimit të refugjatëve. Ishte, pra fjalimi i takimit me një popull, që jeton kohë delikate të kësaj historie, në një skenar tejet të ndërlikuar e të trazuar. E pastaj duhet kujtuar edhe përmasa, do të thosha shumë tërheqëse, e dialogut me islamin në Diyanet, Departamenti për punët fetare. Takim i përzemërt, i ngarkuar me vetëdijen se çasti aktual është vendimtar edhe për Islamin botëror, me konfliktet e tij të brendshme, me shqetësimet për të përballuar terrorizmin e fundamentalizmin. Prej këndej, problemet, që u vunë në dukje ditën e parë, mendoj se ishin jo vetëm ato të marrëdhënieve ndërmjet Islamit e Kristianizmit, ose të vështirësive që kanë të krishterët në tokat me shumicë myslimane, por edhe të përpjekjes për t’i ndarë bashkë shqetësimet e situatës, që ka nevojë për angazhimin e besimtarëve të vërtetë, prijës e besimtarë të thjeshtë, për paqen, për kapërcimin e fundamentalizmit, terrorizmit, urrejtjeve, konflikteve, në botën ku jetojmë sot. Më duket se Papa e Kreu i Diyanet, ishin njëlloj të vetëdijshëm për gjerësinë e horizonteve, në të cilat duhet zhvilluar sot dialogu, për të mirën e njerëzimit. E kjo do të thotë se konfliktet nuk mund të soditen duarkryq. Natyrisht problemet e tmerrshme, që vërehen në të katër anët, duhen zgjidhur, krimet duhen dënuar, njerëzit duhen mjekuar, konfliktet duhen kapërcyer, por duke shikuar edhe perspektivën e feve në botën e globalizuar. Më duket se pati një ndjeshmëri të përbashkët lidhur me angazhimin e ri në dialogun ndërfetar: Papa e theksoi me pak fjalë, duke kujtuar se duhen gjetur forma të reja për dialogun ndërfetar në botën e sotme. Prej këndej, mendoj se u bë një hap ndjeshmërie e thellimi të përbashkët në domethënien e dialogut ndërfetar islamo-kristian, që pastaj u shpreh edhe më mirë gjatë vizitës në Xhami.

Pyetje: - Ishin ditë tejet të ngarkuara, këto të fundit, për Papën: nisën me Stasburgun, ku mbajti katër fjalime, duke përfshirë edhe homelinë, një ditë para shtegtimit në Turqi. Si është Papa?

Përgjigje: - Papa është fare mirë. Duke pasur parasysh këtë veprimtari të pabesueshme, duhet thënë se e përballon shumë mirë, me qetësi, me natyrshmëri. Në shumë çaste shihet i gëzuar, i qeshur… Natyrisht ndjen edhe lodhje, në fund të ditëve kaq kapitëse, por më duket se mund të falënderojmë Zotin, që i rri pranë e i jep forcë për një shërbesë kaq të ngarkuar me ngjarje.







All the contents on this site are copyrighted ©.