2014-12-01 13:51:50

Papa në avion: Kurani është libër i paqes, krerët myslimanë të dënojnë terrorizmin


Gjatë udhëtimit për në Romë, në kthim nga Turqia, Papa Françesku pati një bisedë me gazetarët, që e shoqëronin në avion. U prekën shumë argumente, por ajo që sot mbush faqet e para të gazetave është përgjigjja e Atit të Shenjtë për pyetjen e parë mbi islamofobinë e kristianofobinë. “Kurani është libër i paqes”, nënvizoi Papa. Nuk mund të vihet shenja e barazisë ndërmjet islamit dhe terrorizmit, por është e nevojshme që krerët myslimanë t’i dënojnë atentatet e sulmet terroriste:RealAudioMP3
“Do të ishte bukur sikur të gjithë krerët islamikë – kushdo qofshin, krerë politikë, fetarë, ose akademikë – të flisnin qartë e ta dënonin terrorizmin, sepse kjo do ta ndihmonte shumicën e popullit mysliman të thotë ‘Jo!’, por me të vërtetë… nga goja e krerëve të vet”.
E pastaj, mendimi i Papës Françesku shkoi tek martirët e krishterë, të persekutuarit, që po largohen me forcë nga Lindja e Mesme. E pikërisht nga ky martirizim, që prek gjithë të krishterët e jo vetëm katolikët, lind ekumenizmi i gjakut, nënvizoi:
“Martirët tanë po ngrenë zërin sa munden: ‘Jemi një! Jemi të bashkuar që tani, në shpirt e në gjak”.
Ati i Shenjtë përsëriti dëshirën e tij për të shkuar në Irak, megjithëse në këtë çast, nuk është e mundur:
“Nëse unë do të shkoja në këtë çast, do të krijoja një problem mjaft serioz për autoritetet, problem sigurie… Por do të më pëlqente shumë e dua të shkoj”.
Papa Françesku theksoi sërish idenë e shprehur edhe herë të tjera, se njerëzimi po përjeton një lloj Lufte III Botërore, por vende-vende, një konflikt këtu e një atje. Shkaku i saj nuk janë vetëm armiqësitë, por edhe ekonomia, e cila ka vendosur në qendër të jetës së kësaj bote “Zotin para” e jo njeriun. Një nga shembujt e qartë është trafiku i armëve:
“Më vjen ndërmend viti i kaluar, në shtator, kur thoshin se Siria ka armë kimike. Unë besoj se Siria nuk ishte në gjendje të prodhonte armë kimike. Kush ia shiti? Ndoshta, ndokush prej atyre, që e akuzuan më pas se i kishte? Nuk e di. Por në këtë çështjen e armëve ka shumë mister”.
Përsa u përket armëve bërthamore, Papa vuri në dukje se njerëzimi akoma nuk ka mësuar nga pësimi. Më pas, Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve nga më të ndryshme. Për 100-vjetorin e genocidit armen, që do të përkujtohet vitin që vjen, kujtoi letrën e shkruar nga kryeministri turk Erdogan mbi këtë argument, e cila, sipas Papës, pavarësisht se u kritikua nga ndokush si “tepër e dobët”, u shtriu dorën armenëve e kjo është gjithnjë pozitive. Duhet të lutemi për pajtimin e popujve, tha Ati i Shenjtë, duke uruar hapjen e kufirit turko-armen.
Dialogu me ortodoksët ishte një nga argumentet e tjera të bisedës me gazetarët. Nëse presim që teologët të merren vesh ndërmjet tyre, citoi Papa batutën e Palit VI, dita e bashkimit nuk do të vijë kurrë; do të duhej të mbylleshin të gjithë teologët në një ishull. Por, fryma e ekumenizmit ushqehet me lutjen, punën e bamirësinë e përbashkët, nënvizoi Françesku, duke përsëritur dëshirën e tij për t’u takuar me Patriarkun e Moskës, Kirill. “I kam thënë – qeshi Papa – se unë vij ku të duash. Ti veç më thirr e unë vij. E ai dëshiron të njëjtën gjë”. Por në këtë moment, kemi çështjen e Ukrainës e Patriarku ka probleme të tjera. Sa i përket ekumenizmit, Papa përsëriti idenë e shën Gjon Palit II për të diskutuar mbi parinë e Ipeshkvit të Romës në mënyrë që shërbimi i tij të pranohet nga të gjithë:
“Për formën e parisë, duhet të kthehemi pak në shekullin e parë për të gjetur frymëzimin. Nuk them se Kisha ka gabuar: jo, jo. Ka ecur në udhën e saj të historisë. Por tani, rruga historike e Kishës është ajo, që pati kërkuar shën Gjon Pali II: ‘Më ndihmoni të gjej një pikë marrëveshjeje në dritën e mijëvjeçarit të parë’”.
Kisha nuk duhet të shohë vetëm vetveten, sepse kur ndodh kjo, tha Papa, kur Kisha sheh vetveten e jo Krishtin, kur mendon se ajo është drita e jo thjesht bartëse e Dritës, krijon ndarje. Kisha shndërrohet kështu në një ojq(organizatë jo qeveritare) teologjike. Hapi i parë që uroi Papa në udhën e dukshme të ekumenizmit është festimi i Pashkëve në të njëjtën ditë.
Më pas, Ati i Shenjtë foli për vizitën në Xhaminë Blu. Ndjeva nevojën të lutem sidomos për paqen, tha. E për dialogun ndërfetar shpjegoi se ka ardhur koha të bëhet një hap cilësor përpara, që ai të mos mbetet në nivelin teologjik, ndërmjet krerëve, por të jetë dialog i përvojës së përditshme të besimtarëve.
Së fundi, një pyetje mbi diskutimet e Sinodit për Familjen përsa i përket temës së homoseksualitetit. Papa Françesku nënvizoi se ato janë pjesë e një rruge e nuk mund të konsiderohen përfundimtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.