2014-12-01 13:02:48

Atë Lombardi: Sa më shumë takohesh, aq më shumë gjindet uniteti


Atë Federiko Lombardi komenton dialogun e Papës në Turqi. Ta dëgjojmë reflektimin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, në mikrofonin tonë.RealAudioMP3

Përgjigje: - Është e qartë se Papa e shikon shërbimin e Pjetrit pikërisht si shërbim, e jo si sundim. Prej këndej, duhet të jetë e qartë për të gjithë se shërbimi i parisë, shërbimi i Ipeshkvit të Romës, është shërbim për bashkimin, që arrihet kryesisht përmes dashurisë, përmes vëllazërisë e me konceptin e sinodalitetit. Ky është element shumë i rëndësishëm i kësaj papnie, që vë në dukje përkimin me ortodoksët, për të cilët sinodaliteti është aspekt themelor i udhës së Kishës. E megjithatë, udha që duhet bërë, mbetet akoma e gjatë. Komisionet përkatëse po studiojnë si mund të interpretohet problemi i parisë, pa harruar se mbi të peshojnë një mijë vjet përçarje. Nuk është, prandaj, gjë aq e thjeshtë të sqarohet plotësisht.

Pyetje: - Cilat janë elementet e reja, në se pati të tilla, gjatë këtyre dy ditëve të takimit?

Përgjigje: - Sa më shumë takohesh, aq më shumë e do tjetrin e aq më shumë ecën drejt bashkimit. Fakti që jemi para takimit të katërt, në një kohë kaq të shkurtër papnie, na flet e na thotë se ka përkim e dëshirë tejet të thellë për të ecur së bashku. E ky element duket sheshit.

Pyetje: - Papa u kërkoi katolikëve e ortodoksëve të ecin së bashku edhe që të mund t’i përgjigjen kërkesës për ndihmë të të varfërve, të viktimave të luftës…

Përgjigje: - Natyrisht, por ekumenizmi, ashtu si edhe dialogu ndërfetar, nuk ushqehen vetëm me ide. Ushqehen edhe me dëshirën për të jetuar e për të vepruar së bashku. Tani të gjitha aspektet e angazhimit, që për të krishterët burojnë edhe nga frymëzimi i qartë ungjillor për drejtësinë, për të mirën e njerëzve, për shërimin e plagëve të njerëzimit të sotëm - siç janë konfliktet, varfëria, injoranca, shtypja - të gjitha këto, pra, mund të bëhen së bashku, mbi një bazë të përbashkët, të pranishme në Ungjill.

Pyetje: - Cilat janë, sipas jush, pamjet që mbeten nga ky shtegtim…
Përgjigje: - Pamjet që më prekën shumë janë ato të adhurimit të heshtur në xhami, të Papës, që kërkon bekimin e merr bekimin si dhe puthja e Patrikut. E mendoj edhe edhe për bekimin e përbashkët nga ballkoni, figurë që e kemi parë edhe me një Papë tjetër, por që mbetet çast shumë shprehës i ecjes dhe i kundrimit së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.