2014-11-30 11:30:37

Sot paradite Mesha dhe takimi me Rabinin e madh të Turqisë


Dita e tretë dhe e fundit e Papës në Turqi u hap sot paradite me kremtimin e Meshës privatisht, në Përfaqësinë papnore, në Stamboll. Pas Meshës, takimi me Rabinin e madh të Turqisë, Isak Haleva, kreu i 25 mijë hebrenjve të pranishëm në vendin islamik, posaçërisht në Stamboll e Izmir. Rabini Haleva është takuar edhe me Benediktin XVI, gjithnjë në Stamboll, gjatë shtegtimit në Turqi, më 30 nëntor 2006. Pas këtij takimi, Papa Françesku shkoi në Kishën e Shën Gjergjit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, ku u prit nga Patriku Ekumenik Bartolomeu, që e shoqëroi në tempullin e Mëshirës Hyjnore, për kremtimin e Liturgjisë, në Festën e Shën Andreut Apostull. Në përfundim Papa e Patriku shkuan në katin e dytë të Pallatit Patriarkal për Bekimin ekumenik e më pas, në sallën e Fronit, për leximin dhe nënshkrimin e “Deklaratës së përbashkët”. Pastaj, dreka në Pallatin e Patriarkanës.
Pasdite, para se të largohet nga Stambolli, Françesku do të takojë, në kopshtin e Selisë Papnore, nxënësit e Oratorit salezian.Nisja parashikohet për orën 17.00. Arritja në Romë, rreth orës 18.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.