2014-11-30 15:35:05

Liturgjia Hyjnore. Papa lutet për unitet. Kujtoni viktimat e konflikteve


Kisha katolike kërkon unitet, pa dashur të imponojë asgjë, sipas shembullit të Shën Andreut Apostull, festën e të cilit kremtoi sot Patriarkana. Ishte ky, mesazhi i Papës në fjalimin mbajtur sot, dita e fundit e vizitës së tij në Turqi, gjatë Liturgjisë Hyjnore, në kishën e Shën Gjergjit, në Phanar. Françesku, duke iu drejtuar Patrikut Bartolomeu, u kërkoi ortodoksëve t’i përgjigjjen së bashku, në unitet, thirrjes për ndihmë të të varfërve, të viktimave të luftës, të të rinjve. E kujtoi edhe tragjedinë e atentateve në Nigeri.RealAudioMP3

Është përqafim i vërtetë vëllazëror, ky, që bashkon Françeskun e Bartolomeun: nisi dje, në Phanar, në lutjen ekumenike, për të vijuar edhe sot, gjatë Liturgjisë Hyjnore. Papa, që dje përkuli kokën për të marrë bekimin e Patrikut e sot tha me zë të lartë Atynën në latinisht, e quajti “hir të veçantë”, pjesëmarrjen në këtë liturgji, në Stamboll:
“Të takohesh, të shikosh fytyrën e njëri-tjetrit, të shkëmbesh përqafimin e paqes, të lutesh njëri për tjetrin, janë përmasa themelore të udhës drejt rivendosjes së bashkimit të plotë, ku duam të arrijmë. E gjithë kjo i paraprin dhe e shoqëron vazhdimisht përmasën tjetër themelore të kësaj udhe, që është dialogu teologjik. Dialogu i vërtetë është gjithnjë takim ndërmjet njerëzve, që kanë një emër, një fytyrë, një histori të vetën, e jo vetëm ballafaqim idesh”.
Shembulli i Shën Andreut Apostull, festën e të cilit kremtoi sot Patriarkana, është ndriçues e duhet të jetë edhe pikëmbështetje; tregon se jeta e krishterë është takim shndërrues me Krishtin e se kumti i krishterë përhapet falë njerëzve që, të dashuruar me Zotin, nuk mund të heqin dorë nga logjika e takimit personal. Papa kujtoi dy përvjetore ngjarjesh të ndodhura 50 vjet më parë - fillimin e udhës së pajtimit ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, vulosur nga përqafimi i Atenagorës me Palin VI, në Jeruzalem, qytet shenjt ku, në majin e kaluar u takuan Françesku e Bartolomeu, e pastaj, botimin e Unitatis redintegratio, dekret i Koncilit II të Vatikanit, me të cilin, kujtoi Papa, u hap një rrugë e re për takimin e katolikëve me vëllezërit e Kishave e të Bashkësive të tjera kishtare”
Një dokument me të cilin pohohet se për ta ruajtur besnikërisht traditën e krishterë e për ta realizuar plotësisht pajtimin e të krishterëve të lindjes, me ata të perëndimit, ka rëndësi të dorës së parë të ruhet e të mbështetet trashëgimia tejet e pasur e Kishave të Lindjes, si përsa u përket traditave liturgjike e shpirtërore, ashtu edhe disiplinave kanonike:
Më duket e rëndësishme të pohoj respektimin e këtij parimi, si kusht themelor e reciprok për rivendosjen e bashkimit të plotë, që nuk do të thotë nënshtrim i njërit ndaj tetrit, as thithje, por pranim i të gjitha dhuratave, që Hyji i dha secilit, për t’i rrëfyer mbarë botës misterin e madh të shëlbimit, realizuar nga Krishti Zot, përmes Shpirtit Shenjt”.
E Françesku, më pas, largoi çdo dyshim a frikë se Kisha katolike mundet ose dëshiron të diktojë kushte për arritjen e unitetit:
Dua t’ju siguroj ju të gjithëve se, për të arritur në cakun e dëshiruar të bashkimit të plotë, Kisha katolike nuk e ka në mend të imponojë asnjë kërkesë, veç asaj të shpalljes së fesë së përbashkët, e se jemi gati të kërkojmë së bashku, në dritën e mësimeve të Shkrimit Shenjt e të përvojës së mijëvjeçarit të parë, mënyrat me të cilat të garantojmë unitetin e nevojshëm të Kishës në rrethanat aktuale; e vetmja gjë, që dëshiron Kisha katolike e që kërkoj edhe unë, si Ipeshkëv i Romës, “Kishë që prin në dashurinë e krishterë”, është bashkimi me Kishat ortodokse”.
Bashkimi i të krishterëve është gjithnjë më i rëndësishëm edhe për zërat, që kërkojnë nga Kishat tona t’i përgjigjen me fund thirrjes për të qenë dishepuj të Zotit Jezus. Para së gjithash, zërave të të varfërve:
“Në botë ka tepër gra e burra, që vuajnë nga mungesa e ushqimit, nga papunësia në rritje; ka përqindje të lartë të të rinjve pa punë e shtim të radhëve të të përjashtuarve nga shoqëria, gjë që mund të krijojë kushtet për kriminalitet e edhe për rekrutim në radhët e terroristësve. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë zërave të këtyre vëllezërve e motrave”.
Të varfrit kërkojnë ndihmën e nevojshme materiale, por, sidomos, ndihmë për mbrojtjen e dinjitetit të tyre njerëzor, për të rigjetur energjitë e për t’u rikthyer në radhët e shoqërisë, si protagonistë të historisë së tyre. Të krishterët e kanë për detyrë të luftojnë kundër shkaqeve strukturore të varfërisë, pabarazisë, mungesës së punës së denjë, të tokës e të shtëpisë, mohimit të të drejtave shoqërore:
“Si të krishterë, jemi të thirrur të fitojmë së bashku mbi globalizimin e indiferencës, që sot duket se ka epërsi, e të ndërtojmë qytetërimin e ri të dashurisë e të solidaritetit”.
Me zërin e të vafërve, bashkohet edhe zëri i viktimave të konflikteve, që dëgjohet fare mirë jo larg nga Turqia, sepse, kujtoi Françesku, disa nga kombet e afërta vijojnë të vuajnë nga lufta çnjerëzore:
“Mendoj me dhimbje të thellë për viktimat e shumta të atentatit çnjerëzor e pa farë kuptimi, që goditi këto ditë vëllezërit myslimanë, të cilët po luteshin në xhaminë e Kanos, në Nigeri. Të trazosh paqen e një populli, të kryesh ose të lejosh të gjitha llojet e dhunës, posaçërisht mbi më të vegjlit e më të pambrojturit, është mëkat i rëndë kundër Zotit, sepse do të thotë të mos respektosh shembëlltyrën e Tij, që është njeriu. Zëri i viktimave të konflikteve na shtyn të ecim sa më shpejt në udhën e pajtimit e të bashkimit ndërmjet katolikëve e ortodoksëve”.
Pastaj, mendimi i Papës shkoi kryesisht tek të rinjtë:
Janë pikërisht të rinjtë - mendoj, për shembull, për turmat e të rinjve orotodoksë, katolikë e protestantë që takohen në tubimet ndërkombëtare, organizuar nga Bashkësia e Tezesë - të cilët sot na nxisin të bëjmë një hap përpara drejt bashkimit të plotë. E kjo, jo sepse nuk e dinë kuptimin e ndryshimeve, që na ndajnë ende, por sepse dinë të shikojnë përtej, janë të aftë të kapin themeloren, që tashmë na bashkon”.
Nuk duhet të harrojmë kurrë të lutemi njëra palë për tjetrën, porositi Papa, jemi tashmë për udhë drejt unitetit e mund t’i jetojmë shenjat domethënëse të bashkimit të plotë e të vërtetë, edhe pse, ende i pjesshëm. Kjo na ngushëllon e na ndihmon të vijojmë rrugën.









All the contents on this site are copyrighted ©.