2014-11-30 17:09:26

Françesku takon refugjatët: kushte të padurueshme, mjaft më luftëra!


Etapa e fundit e shtegtimit të Papës Françesku në Turqi, ishte takimi, në kopshtin e përfaqësisë papnore në Stamboll, me rreth njëqind të rinj refugjatë, të strehuar pranë Oratorit salezian të qytetit turk.
Duke i përshëndetur të rinjtë, Papa pohoi se e kishte dëshiruar shumë këtë takim: “Desha të takoj edhe refugjatë të tjerë, vijoi, por nuk qe e mundur. Ju vini nga Turqia, Siria, Iraku, nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme e edhe nga Afrika. Përfaqësoni këtu qindra bashkëmoshatarë, shumë prej të cilëve, refugjatë e të shpërngulur, të kujdesur çdo ditë nga salezianët”.
Dua t’ju shpreh pjesëmarrjen në vuajtjen tuaj, vijoi me dhimbje Papa, e shpresoj se vizita ime, me ndihmë të Zotit, do të mund t’ju japë sadopak ngushëllim në gjendjen tuaj kaq të vështirë, pasojë e trishtuar e konflikteve të tepruara dhe e luftës, që është gjithnjë e keqe e nuk i zgjidh kurrë problemet, përkundrazi, krijon të tjera.
Më pas Françesku kujtoi kushtet e rënda në të cilat detyrohen të rrojnë refugjatët: mungesën e gjërave më të nevojshme për çdo njeri, si banesa dinjitoze, ndihma shëndetësore, shkollimi, puna. E, mbi të gjitha, Papa theksoi mungesën e lirisë. Prandaj kërkoi me forcë angazhimin për zhdukjen e shkaqeve të këtij realiteti, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për më shumë bashkëpunim, në përpjekjen për shuarjen e konflikteve e të pasojave të tyre, e, sidomos, për krijimin e kushteve që refugjatët të rikthehen në trojet e veta.U drejtohem krerëve politikë, që të mos harrojnë se shumica e popullsisë së vendeve të tyre e dëshiron paqen, ndonëse nganjëherë nuk ka forcë, as zë, për ta kërkuar, tha Françesku, duke mos harruar të theksojë edhe përpjekjet e organizatave të shumta, ndërmjet të cilave, ato katolike, për t’i ndihmuar nevojtarët, pa asnjë dallim. Falënderoi posaçërisht, në vijim, autoritetet turke për asistencën e të shpërgulurve. Shpresoj të mos u mungojë ndihma ndërkombëtare, pohoi, duke nënvizuar se do t’i lutet vazhdimisht Zotit për të gjithë refugjatët e duke i siguruar se Kisha katolike do të jetë gjithnjë përkrah tyre e do të vijojë t’ua mbështesë kauzën përpara botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.