2014-11-29 14:25:22

Stambolli


Stambolli numëron 13.855.00 banorë, duke përfshirë edhe lagjet aziatike. Është i vetmi qytet në botë, që shtrihet ndërmjet dy kontinenteve, Azisë dhe Evropës, mbi dy brigjet e Bosforit, që lidh Detin e Zi me Mesdheun. I themeluar në vitin 667 para Krishtit nga kolonët grekë, u quajt Byzántion, për nder të mbretit Byzantas. U përfshi në Perandorinë romake në vitin 196. Emri grek Kostandinopojë, që nis të përdoret që nga viti 330, kur u shpall kryeqytet i Perandorisë Romake, do të thotë ‘qytet i Kostandinit’. Gjatë mesjetës, Kostandinopoja ishte qyteti më i madh e më i pasur i Evropës e mendohet se në shekullin X, kishte më se një milion banorë. I pajisur me një mori fortifikatash, qyteti mbeti i papushtueshëm deri në vitin 1204, kur u plaçkit nga ushtritë e kryqëzatës IV. Më 29 maj të vitit 1453, qyteti ra në dorë të otomanëve, të udhëhequr nga Muhameti II Fatihu apo Fitimtari, i cili e bëri kryeqytet të perandorisë otomane. Nën sulltanët otomanë, Kostandinopoja rijetoi një kohë plot shkëlqim, duke u bërë seli e Kalifatit, nësa mbeti përsëri edhe seli e Patriarkanës Greko-Ortodokse. Kur u mund Perandoria Otomane gjatë Luftës I Botërore, më 1 nëntor 1922 e kur, më 1923 u themelua Republika turke, kryeqyteti u zhvendos nga Stambolli, në Ankara. Gjatë viteve ’70 të shekullit të kaluar, popullsia nisi të rritet me shpejtësi, pas emigrimit të madh nga Anatolia. Lagje të reja e zona industriale lindën një pas një në rrethinat e qytetit e shumë fshatra fqinje u përfshinë në zonën e madhe metropolitane. Të panumërt, monumentet me vlera historiko-kulturore: Shën Sofia: Xhamia Blu; kompleksi Topkapi, seli e sulltanëve; Briri i artë, kanal i gjatë 7 kilometra, brigjet e të cilit, qendër historike, u deklaruan Pasuri Botërore e Njerëzimit nga UNESKO, në vitin 1985; muret theodosiane; Kariye Camii, ish Kisha e Shëlbuesit të Arave, kthyer në xhami në shekullin XV; Dollmabahçe Sarai, selia e fundme e sulltanëve mbi Bosfor e shumë e shumë stoli të tjera arti, të cilat meritojnë të vizitohen nga udhëtari, që shkel në këto troje kaq të pasura me histori e kulturë.







All the contents on this site are copyrighted ©.