2014-11-29 18:30:32

Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I


Demetrios Archondonis lindi më 29 shkurt 1940, në ishullin Imvros, në Detin Egje, sot Gökçeada, Turqi. Qytetar turk i bashkësisë greke të Turqisë, studioi në Shkollën Teologjike të Halki(1961), në Institutin Lindor të Romës, Institutin Ekumenik të Bossey dhe Universitetin e Munihut. I shuguruar diakon më 1961 e meshtar më 1969, u bë sekretar personal i paraardhësit të tij, Patrikut ekumenik Demetrios (1972-91). Metropolit i Filadelfies (1973) dhe i Kalçedonisë (1990), ndërsa më 2 nëntor 1991 u zgjodh i 270-ti pasardhës i Shën Andreut, me emrin Bartolomeu I.
I njohur, angazhimi i Bartolomeut I në favor të bashkëpunimit ndër-ortodoks në dialogun ekumenik, si dhe në mbrojtje të ambientit, aq sa të meritojë emrin “Patriku i gjelbër”. Ka qenë për herë të parë në Vatikan më 29 qershor 1995, për kremtimin liturgjik të Shën Pjetrit e të Shën Palit, e pastaj përsëri më 29 qershor 2004, për të përkujtuar takimin historik të Patrikut Atenagora me Palin VI në Jeruzalem(1946). Bartolomeu I, i pranishëm me rastin e kremtimit eukaristik, kryesuar nga Gjon Pali II, mbajti një homeli, të paraprirë nga Papa Vojtila, Pak muaj më parë, më 27 nëntor të të njëjtit vit, Bartolomeu I u rikthye në Vatikan, në krye të një Delegacioni të Sinodit të Shenjtë, për të marrë në dorëzim një pjesë të relikeve të dy paraardhësve, Shën Gregor Teologut dhe Shën Gjon Krizostomit, të ruajtura në bazilikën e Shën Pjetrit. Mbartja e relikeve në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit, natën e festës së Shën Andreut (30 nëntor), qe rast për organizimin e kremtimeve fetare pan-ortodokse në patriarkanën ekumenike. Bartolomeu I njeh greqishten, turqishten, italishten, gjermanishten, frengjishten, anglishten e latinishten. Kujtojmë se Kostandinopoja u ngrit në rangun e Patriarkanës nga Koncili kishtar i Efezit, në vitin 431 pas Krishtit dhe qe vatër e krishterimit të lashtë të Lindjes. Patriku ekumenik ka vendin e parë të nderit në Kishat Ortodokse: si primus inter pares ndërmjet Patrikëve lindorë, është pikë referimi e bashkimi për Kishat ortodokse.








All the contents on this site are copyrighted ©.