Kisha bizantine e shekullit XIII, kushtuar Shën Sofisë (Hagia Sophia), domethënë,
Dijes Hyjnore, u ndërtua nga Kostandini i Madh mbi një truall tempujsh paganë, në
vitin 360. Pasi u rrënua dy herë nga zjarret, në vitin 404 dhe 532, Justiniani e rindërtoi,
me synim që ta bënte bazilikën më madhështore, që nga Koha e Krijmit. Në të gjithë
perandorinë u mblodhën materialet më të çmuara e mermeret më të bukura e dhjetëmijë
punëtorë, të udhëhequr nga kryemjeshtrat më të njohur të kohës, punuan për më se gjashtë
vjet. Kur u përurua(537), Justiniani brohoriti: “O Salomon, ta kalova!”. Pas pushtimit
të Kostandinopojës nga latinët (1204) Shën Sofia u zhvesh nga stolitë më të çmuara.
Më 1453, ra në duart e Otomanëve e Muhameti II dha urdhër të kthehej në xhami. U
kthye, pra, në xhami, më 1461, e pastaj, në muze të qeverisë turke, në vitin 1961.
Njihet si pasuri e patjetërsueshme e Fondacionit islamik, me emrin e Sulltan Mehmetit.
Në rrjedhë shekujsh u përdor edhe si depo armësh e si spital, për t’u restauruar ndërmjet
viteve 1958 e 1962 nga specialistë të Universitetit të Edimburgut e, pavarësisht nga
ndryshimet që pësoi vazhdimisht e nga prekjet, shumë herë në dëm të kryeveprave të
saj kishtare, mbetet shembull i pashoq i artit të krishterë bizantin, me afreskun
e Krishtit Pantocrator (i Gjithëpushtetshëm), gjysëm busti, pikturuar brenda kupolës
madhështore, shoqëruar me ciklet ungjillore e me 12 festat bizantine. Të madhërishme
edhe kremtimet, të cilat mbetën në kujtesën e atyre, që patën fatin të merrnin pjesë
në to, dikur... Përmasat vigane të Shën Sofisë e bëjnë një nga munumentet kyçe
të arkitekturës të të gjitha kohëve. Bazilika, me katër minare për rreth, ka formë
katrore e tri navata, stolisur me mermere e mozaikë, që të kujtojnë Bazilikën e Shën
Markut, në Venedik. Kisha e Shën Sofisë, me një bukuri të pakrahasueshme arkitektonike,
mbetet monument sa i artit të vonë bizantin, aq edhe i atij të Perandorisë Otomane.
Një herë Kishë (që nga viti 537), pastaj xhami e tashti muze i Republikës turke, Hagia
Sophia vijon të jetë një nga monumentet më të famshme të krijuar nga njerëzimi në
shekuj. Papa Pali VI, Gjon Pali II e Benedikti XVI e vizituan Muzeun e Shën Sofisë,
përkatësisht në vitet ’67, ’79 e 2006.