2014-11-28 17:05:22

Papa Françesku në Diyanet: krerët fetarë të denoncojnë dhunimin e të drejtave


Menjëherë pas takimit me autoritetet dhe me kryeministrin e Turqisë, Papa Françesku shkoi në presidencën e Çështjeve Fetare të vendit, apo “Diyanet”, siç quhet në turqisht. Pikërisht presidenti i Diyanetit e priti Papën Françesku për ta shoqëruar fillimisht në studion e tij për një takim privat me krerët myslimanë e pastaj, në Sallën, ku Ati i Shenjtë u foli krerëve politikë e fetarë, myslimanë e të krishterë, të pranishëm në vendin ku ka qenë edhe Benedikti XVI, në nëntor 2006.
E Papa Françesku vuri në dukje menjëherë marrëdhëniet e mira ndërmjet feve: RealAudioMP3
“Marrëdhëniet e mira dhe dialogu ndërmjet krerëve fetarë kanë rëndësi të madhe. Ato përfaqësojnë një mesazh të qartë, drejtuar bashkësive, për të shprehur faktin se respekti i ndërsjellë dhe miqësia janë të mundshme, pavarësisht nga ndryshimet. Kjo miqësi, përveçse është vlerë në vetvete, merr domethënie të veçantë e rëndësi të mëtejshme në kohë krizash si kjo e jona, kriza, që, në disa zona të botës, kthehen në drama të vërteta për popullsi të tëra”.
Luftrat, tensionet, konfliktet ndëretnike e ndërfetare, uria dhe varfëria, që dhjetojnë miliona njerëz, dëmet shkaktuar ambientit: ishin këto imazhet, me të cilat Papa Françesku përshkroi gjendjen, për të hyrë më në thellësi në disa situata të veçanta të Lindjes së Mesme. Ati i Shenjtë përmendi vuajtjet e patreguara të fëmijëve, të nënave, të të moshuarve e të refugjatëve, që pësojnë dhunë të çdo lloji:
“Vërtet tragjike është gjendja në Lindjen e Mesme, sidomos në Irak e Siri. Të gjithë vuajnë nga pasojat e konflikteve dhe gjendja humanitare është shqetësuese në kulm. …Për shkak të një grupi ekstremist e fundamentalist, bashkësi të tëra, sidomos të krishterët dhe jazidët – por jo vetëm ata – kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë nga dhuna çnjerëzore, për arsye të identitetit të tyre etnik e fetar. Janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre, u është dashur të braktisin çdo gjë për të shpëtuar jetën e për të mos e mohuar fenë. Dhuna ka goditur edhe vendet e shenjta, monumentet, simbolet fetare dhe trashëgiminë kulturore, si të dëshirohej të zhduket çdo gjurmë, çdo kujtim i tjetrit”.
S’kishte si të fliste më qartë se kaq, Papa Françesku, për pasojat shkatërrimtare të luftës së nisur nga integralistët e të vetëquajturit “Shtet Islamik”. Jeta e njeriut, denoncoi Papa, është e shenjtë, prandaj dhuna e justifikuar me anë të fesë meriton dënimin më të madh, pikërisht sepse Zoti i Gjithpushtetshëm - emrin e të cilit e zënë në gojë kot fundamentalistët - është Hyj i jetës dhe i paqes. Nga të gjithë ata, që thonë se e adhurojnë, nënvizoi Papa, bota pret të jenë njerëz të paqes, pavarësisht nga ndryshimet. Pastaj iu drejtua krerëve fetarë e politikë:
“Denoncimi duhet pasuar nga puna e përbashkët për të gjetur zgjidhje të përshtatshme. Kjo kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve: qeveri, krerë politikë e fetarë, përfaqësues të shoqërisë civile e, burra e gra vullnetmirë. Në veçanti, prijësit e bashkësive fetare mund të japin një kontribut të çmuar, sipas vlerave të pranishme në traditat e tyre përkatëse”.
Ne, myslimanët e të krishterët, vijoi më tej Papa Françesku, trashëgojmë thesare të paçmueshme shpirtërore, të cilat i kemi të përbashkëta, pavarësisht nga tradita specifike e secilit. E këto janë adhurimi i Zotit të mëshirshëm, Abrahami si pikë referimi, lutja, lëmosha, agjërimi… Janë elemente, theksoi Ati i Shenjtë, që nëse jetohen me sinqeritet, mund ta shndërrojnë jetën e njerëzve, duke krijuar kështu, një bazë të sigurtë për dinjitetin e për vëllazërimin ndërmjet tyre. Ky thesar i përbashkët shpirtëror duhet promovuar edhe përmes dialogut ndërfetar, tha Papa, sepse na ndihmon të mbrojmë vlerat morale, paqen e lirinë edhe në shoqëri:
“Njohja e shenjtërisë së njeriut, nga të dyja palët, është bazë për dhembshurinë e përbashkët, solidaritetin e ndihmën konkrete ndaj më të vuajturve. Përsa i përket kësaj, dua të shpreh vlerësimin tim për ç’po bën populli turk, mysliman e të krishterë, për qindra mijëra të ikurit nga vendet e tyre, për shkak të konflikteve. E ky është shembull konkret se si mund të punojmë së bashku për t’u shërbyer të tjerëve, shembull për t’u inkurajuar dhe përkrahur”.
Papa vlerësoi edhe bashkëpunimin e “Diyanet”-it me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke uruar që ai të vazhdojë edhe në të ardhmen për të mirën e të gjithëve. E së fundi, kërkoi e premtoi lutje për të pranishmit e për popullin turk.
Nesër, Ati i Shenjtë do të zhvendoset nga kryeqyteti i Turqisë, Ankara, në Stamboll, ku fillimisht do të vizitojë xhaminë e Sulltan Ahmetit e pastaj, muzeun e Shën Sofisë, apo të Dijes Hyjnore. Veprimtaritë më të rëndësishme të ditës së nesërme janë mesha në Katedralen e Shpirtit Shenjt dhe lutja ekumenike në Kishën Patriarkale të shën Gjergjit, në Fanar.







All the contents on this site are copyrighted ©.