Ankaraja, emri i së cilës vjen nga fjala “angora”, leshi me fije të gjata i deleve
vendase, ka 4.400.000 banorë. Është kryeqytet politik i vendit, që nga viti 1923,
kur Mustafa Kemal Atatürk e zgjodhi, kryesisht për shkaqe strategjike, si seli e institucioneve
politike dhe administrative të Republikës së sapolindur turke. Qyteti nisi të zgjerohet
rreth vitit 1928, mbi bazën e një plani të saktë urbanistik, hartuar nga arkitekti
austriak H. Jansen, në formë tetëkëndëshi, me udhë të gjera e të drejta e me shumë
hapësira të blerta. Më pas u ndërtuan edhe pallatet hijerënda të ministrive, të përfaqësive
diplomatike, të bankave e të institucioneve kulturore. Në dhjetëvjeçarët e fundit
qyteti vijon të zgjerohet me shpejtësi marramendëse me një mori lagjesh popullore,
duke kaluar nga 300 mijë banorë, që kishte më 1950, në 5 milionë banorë, që ka aktualisht.
Shumë i përhapur fenomeni i shtëpive të ndërtuara brenda një nate.Qyteti është i pasur
me institucione kulturore: këtu mund të soditësh Muzeun e Qytetërimeve Anatolike,
ku mund të admirohen koleksione me interes të jashtëzakonshëm; pastaj, Muzeun Etnografik,Termet
romake (shek III pas K.) dhe Kështjellën, rrethuar me mure të 600-tës, sot nën kujdesin
e UNESKO-s.Historia e lashtë e qytetit nis rreth viteve 750-500 para Krishtit,
gjë që e dëshmon zbulimi i një numri të madh varresh të kësaj periudhe, rreth Muzeut
të Atatürkut. E vendosur përgjatë Rrugës së madhe mbretërore persiane, kjo zonë u
pushtua nga grekët, romakët, bizantinët, persianët, arabët, turqit, kryqtarët, mongolët,
otomanët. Duke kaluar nga një pushtim në tjetrin, rreth vitit 1414 qyteti u kthye
në një qendër të vogël, pa rëndësi. E kur Atatürk-u e zgjodhi (1920) si qendër të
rezistencës kundër pushtimit grek, ishte qytezë e vogël, me 30 mijë banorë, e rrethuar
nga stepat dhe e njohur vetëm për sektorin e punimit të leshit, me emrin e mirënjohur
“angora”.