2014-11-27 11:52:53

Papa: mos bini në dëshpërim para së keqes, por jetoni me shpresë


Edhe në mesin e vështirësive më të mëdha, i krishteri nuk duhet të bjerë në dëshpërim. Këtë theksoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë vuri në dukje se “korrupsioni” e “shpërqendrimi” na largojnë nga Zoti.RealAudioMP3
Babilonia dhe Jeruzalemi. Në homelinë e tij, Papa mori shkas nga këto dy qytete për të cilat flet Libri i Zbulesës dhe Ungjilli i shën Lukës. Të dyja pjesët e liturgjisë së sotme na kujtojnë fundin e botës. Dy qytetet e pranuan Zotin, por pastaj u larguan prej Tij e u shembën. Qyteti i Babilonisë ra për shkak të korrupsionit, është simbol i mëkatit dhe i së keqes, pasi ndjehej zot i botës dhe i vetvetes. Kështu ndodh edhe sot me njerëzit e korruptuar, theksoi Ati i Shenjtë:
“Sepse korrupsioni të jep disi lumturi, të jep pushtet e të bën të ndjehesh i kënaqur me vetveten: nuk i lë hapësirë Zotit, për kthimin e zemrës. Qyteti i korruptuar… E kjo fjalë, ‘korrupsion’, sot, na thotë shumë: jo vetëm korrupsion ekonomik, por korrupsion me mëkate nga më të ndryshmet; korrupsion me atë shpirtin pagan, me atë shpirtin e kësaj bote. Korrupsioni më i shëmtuar është [mbizotërimi] i shpirtit të kësaj bote!”
Kjo kulturë e korruptuar të bën të ndjehesh në Parajsë, të duket vetja i fuqishëm, ke gjithçka, por kjo lloj kulture “qelbet nga brenda”, tha pa doreza, Papa Françesku. Babilonia përfaqëson simbolikisht çdo qytet, çdo shoqëri, çdo kulturë, që kur largohet nga Zoti e nga dashuria për të afërmin, kalbet nga brenda. Ndërkaq, Jeruzalemi bie për një arsye tjetër. Jeruzalemi është nusja e Zotit, por nuk e kupton kur Dhëndërri Hyjnor i vjen për vizitë, nuk e ka mendjen aty e, për këtë arsye, e bën Hyjin të derdhë lot:
“Babilonia bie për shkak të korrupsionit; Jeruzalemi, për shkak të shpërqendrimit, sepse nuk e pret Zotin, që vjen ta shpëtojë. Nuk e ndjente nevojën e shpëtimit. Kishte shkrimet e profetëve, të Moisiut e këto i mjaftonin. Ama ishin shkrime të mbyllura! [Jeruzalemi] nuk i linte vend shpëtimit: i kishte portat e mbyllura për Zotin! Hyji trokiste në derë, por askush s’ishte i gatshëm ta priste, ta dëgjonte, ta linte veten të shpëtohej prej Tij. E kështu, bie…”
Këto dy shembuj, vazhdoi Papa Françesku, mund të na nxisin të mendojmë për jetën tonë: a jemi të ngjashëm me Babiloninë e korruptuar, apo me Jeruzalemin e hutuar? E megjithatë, nënvizoi Ati i Shenjtë, të dyja leximet e sotme nuk e lënë njeriun pa shpresë. Jezusi na fton ta ngremë kryet e të mos trembemi nga paganët. Këta kanë kohën e tyre e duhet t’i durojmë, ashtu siç duroi Zoti Mundimet e veta:
“Kur mendojmë për fundin, me gjithë mëkatet tona, me gjithë historinë tonë, mendojmë edhe për banketin që do të na jepet falas, e kështu, e ngremë kryet. S’ka dëshpërim: ka shpresë! Por realiteti është i shëmtuar: ka shumë e shumë popuj, qytete e njerëz, që vuajnë; shumë e shumë luftra, urrejtje, zili, mondanitet shpirtëror e shumë korrupsion. Po, është e vërtetë! Gjithçka do të bjerë! T’i lutemi Zotit për hirin që të jemi të përgatitur për banketin, që na pret, gjithnjë me kokën lart”.








All the contents on this site are copyrighted ©.