2014-11-27 14:53:32

Papa: Kisha të ndryshojë mendësinë, të mos presë, por të kërkojë


Kishë samaritane, që e takon Zotin në periferitë e botës, ku janë të varfërit. Me këtë imazh, Papa Françesku u foli për Kishën pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar të Baritorisë së qyteteve të mëdha, që u mbajt ditët e kaluara në Barcelonë të Spanjës. Ati i Shenjtë i priti sot 25 kardinajtë dhe kryeipeshkvijtë në Vatikan e u foli me përvojën e një bariu kishtar të një qyteti të populluar e shumëkulturor si Buenos Ajresi.RealAudioMP3
Papa u kërkoi ta ndryshojnë mendësinë e baritorisë së Kishës, në mënyrë që të jenë në gjendje të dialogojnë më mirë me kulturat e ndryshme, duke vlerësuar fenë e popullit, duke e ndarë bukën dhe Ungjillin me të varfërit. Propozimi i Françeskut synon shndërrimin e Kishës në Kishë kryesisht misionare:
“Një ndryshim mendësie: nga mikpritja tek dalja, nga pritja që të vijnë tek shkuarja për t’i kërkuar. Për mua, ky është çelësi! Të dalim për të takuar Zotin, që banon në qytetet e në të varfërit. Të dalim për t’u takuar, për të dëgjuar, për të bekuar, për të ecur me njerëzit. E për ta lehtësuar takimin me Zotin. Ta bëjmë të afrueshëm sakramentin e Pagëzimit. Kisha të hapura. Sekretari me orare për njerëzit që punojnë. Katekizëm të përshtatur sipas problemeve dhe orareve të qyteteve”.
Kisha, kujtoi Papa, vjen nga një praktikë baritore shekullore, gjatë së cilës ka qenë e vetmja pikë referimi për kulturën. E ka ndjerë përgjegjësinë për të përvijuar e për të imponuar jo vetëm format kulturore, por edhe vlerat. Por sot, nuk jemi më në atë epokë:
“Ka kaluar. Nuk jemi në krishterim. Jo më. Sot, nuk jemi më të vetmit, që prodhojnë kulturë, s’jemi as të parët, as më të dëgjuarit. Prandaj, kemi nevojë ta ndryshojmë mendësinë baritore, por jo në një ‘baritori relativiste’, e cila për të qenë e pranishme në ‘kuzhinën kulturore’ humbet horizontin ungjillor, duke e lënë njeriun vetëm me vetveten, larg nga dora e Zotit”.
Duke bërë kështu, vijoi Ati i Shenjtë, nuk do të tregonte interes të vërtetë për njeriun, pasi do t’i fshihte atij Jezusin e të vërtetën mbi vetveten:
“Duhet të kemi kurajë për një baritori ungjillëzuese, të guximshme e pa frikë, sepse burri, gruaja, familjet dhe grupet e ndryshme, që banojnë në qytete, presin prej nesh e kanë nevojë jetësore për Lajmin e Mirë, që është Jezusi dhe Ungjilli i Tij. Shpesh dëgjoj të thonë se kanë turp të ekspozohen. Duhet të punojmë për të mos pasur turp e drojë në kumtimin e Jezu Krishtit”.
Dialogu baritor pa relativizëm, shpejgoi Papa Françesku, është ai që nuk e vë në diskutim identitetin e krishterë, por dëshiron të arrijë në zemrën e tjetrit, që është i ndryshëm nga ne, e të mbjellë aty farën e Ungjillit. Kjo presupozon njohjen e thellë të qyteteve e jo vetëm nga pikpamja shkencore, nënvizoi Ati i Shenjtë. Duhet zbuluar themeli i kulturës së qytetit, që në thelb, ka etje për Zotin. Duhen njohur qytetet imagjinare, të padukshme, të cilat kanë të bëjnë me simbolet, gjuhën, ritet e format e grupeve, që banojnë në to. Duhet kujtuar se Zoti banon në qytet e duhet kërkuar Hyji aty ky po vepron në atë çast. Feja e popullit, tha Papa Françesku, duhet respektuar e studiuar, sepse shpesh, në bërthamën e vet, ajo është e krishterë e katolike:
“Shkoni aty, në bërthamë. Nuk mund të mos e njohim e as ta përbuzim këtë përvojë të Zotit, që, megjithëse nganjëherë është e shpërndarë dhe e përzier [me gjëra të tjera], na kërkon të zbulohet e jo të manipulohet. Aty janë farat e Fjalës, mbjellur nga Shpirti i Zotit”.
Edhe me shprehjet e ndryshme të “fesë së natyrshme” është i mundur dialogu ungjillëzues, siç ka ndodhur në Kishën e Amerikës Latine dhe në Karaibe. Që prej vjetësh, vuri në dukje Papa Françesku, është kuptuar tashmë se ekziston kjo forcë fetare, që vjen sidomos nga shtresat më të varfëra:
“Zoti vazhdon të na flasë edhe sot, siç ka bërë gjithnjë, përmes të varfërve, të ‘mbetjeve’. Në përgjithësi, në qytetet e mëdha banojnë shumë emigrantë dhe të varfër, që vijnë nga zonat fshatare, ose nga kontinente e kultura të tjera”.
Papa, që i sheh edhe në Romë, i quajti “shtegtarë të jetës”, në kërkim të shpëtimit, që shpesh, ecin përpara duke marrë forcë nga një përvojë e thjeshtë, por e thellë e fesë në Zotin. Sfida, nënvizoi Ati i Shenjtë, është e dyfishtë:
“Të jemi mikpritës ndaj të varfërve dhe emigrantëve - në përgjithësi, qyteti nuk është kështu, i refuzon – dhe të vlerësojmë fenë e tyre. Ka shumë mundësi që kjo fe të përziehet me elemente të magjisë apo të animizmit, por duhet ta kërkojmë, ta njohim, ta interpretojmë e sigurisht, edhe ta ungjillëzojmë. Por, nuk kam dyshim se në fenë e këtyre burrave e grave ka një potencial të jashtëzakonshëm për ungjillëzimin e zonave urbane”.
Realiteti i qyteteve, që Kisha duhet ta marrë pa tjetër parasysh, pra, është ai i të varfërve, i të përjashtuarve, i të mënjanuarve:
“Kisha nuk mund ta injorojë britmën e tyre, as të marrë pjesë në lojën e sistemeve të padrejta, meskine e të interesuara, që përpiqen t’i bëjnë të padukshëm. Shumë të varfër, viktima të varfërive të vjetra e të reja. Kemi varfëri të reja! Varfëri strukturore dhe endemike, që po përjashtojnë breza të tëra familjesh. Varfëri ekonomike, shoqërore, morale dhe shpirtërore. Varfëri, që mënjanojnë e përjashtojnë njerëzit, bijtë e Zotit. Në qytete, e ardhmja e të varfërve është më shumë varfëri”.
Duke përmendur Benediktin XVI, Papa Françesku i ftoi barinjtë e Kishës të mësojnë si ta zgjojnë fenë përmes katekizmit, por jo vetëm, duke ngjallur interes e kuriozitet për Jezu Krishtin përmes shembullit të Kishës samaritane, përmes dëshmisë, duke përfshirë laikët në shërbimin bamirës ndaj të varfërve e duke iu larguar klerikalizmit, kësaj sëmundjeje që na vë prangat, përfundoi Ati i Shenjtë:
“Me anë të dëshmisë, mund të ndikojmë më thellë, aty ku lind kultura. Përmes dëshmisë, Kisha mbjell farën e sinapit, por e bën këtë në zemrën e kulturave, që po lindin nëpër qytete”.








All the contents on this site are copyrighted ©.