2014-11-27 12:46:32

Papa Françesku, rregulltarëve: mos kini frikë të përtërini strukturat


Nuk duhet të kemi frikë t’i përtërijmë strukturat, të cilat na pengojnë ta dëgjojmë zërin e atyre, që presin Ungjillin: këto ishin fjalët e Papës Françesku në asamblenë e përgjithshme të Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar, që mbahet këto ditë në Romë, me temë “Verë e re në shirqe të reja”. Kujtojmë se të dielën, me fillimin e Kohës së Ardhjes, nis edhe Viti i ri liturgjik, të cilin Kisha ia kushton pikërisht jetës së përkushtuar për Zotin.RealAudioMP3
Pas Koncilit II të Vatikanit, kujtoi Ati i Shenjtë, Institutet rregulltare janë përpjekur të venë në jetë përtëritjen shpirtërore, karizmatike dhe institucionale, që kërkoi ai. Kjo i nxiti njerëzit të gjejnë përgjigje të reja për ftesën e Jezusit, i cili u thotë të lënë gjithçka për ta ndjekur e për të shpallur Ungjillin:
“Nuk duhet të kemi frikë për të lënë ‘shirqet e vjetra’. Pra, t’i përtërijmë ato qëndrime e ato struktura që, në jetën e Kishës e në jetën e përkushtuar, i shohim si të papërshtatshme për t’iu përgjigjur kërkesave të Zotit sot, në mënyrë që të ecë përpara Mbretëria e Tij në botë: strukturat, që na japin mbrojtje të rreme e që e kushtëzojnë dinamizmin e dashurisë së krishterë; qëndrimet, që na largojnë nga grigja ku jemi dërguar e na pengojnë ta dëgjojmë thirrjen e njerëzve në pritje të Lajmit të Mirë të Jezu Krishtit”.
Papa numëroi dobësitë, që vërehen sot, në jetën rregulltare: kundërshtimet për çdo lloj ndryshimi, zvogëlimin e forcës së saj tërheqëse, numrin e konsiderueshëm të atyre, që largohen nga kuvendet:
“E kjo më shqetëson! Më thotë diçka lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve, me formimin e tyre e pastaj vjen misteri i çdo njeriu, por këto dy gjërat e para duhet t’i vlerësojmë mirë”.
Ati i Shenjtë vuri në dukje dobësinë e disa rrugëve për formimin e rregulltarëve, apo edhe rendjen pas detyrave institucionale në dëm të jetës shpirtërore, ose integrimin e vështirë të kulturave e brezave të ndryshëm, duke përfunduar me ekuilibrin problematik ndërmjet ushtrimit të autoritetit dhe përdorimit të pasurive:
“Më shqetëson edhe varfëria, eh! Unë i bëj publicitet familjes sime, por Shën Injaci thoshte se varfëria është nëna dhe muri i jetës rregulltare. Është nënë varfëria, jep jetë, ndërsa muri të mbron nga bota”.
Papa Françesku vuri në dukje disa kritere orientuese për jetën e rregulltarëve si: origjinaliteti ungjillor i vendimeve, besnikëria ndaj karizmës, përparësia e shërbimit, kujdesi për të vegjlit e të brishtët, respekti për dinjitetin e çdo njeriu. E pastaj, nënvizoi rëndësinë e lutjes:
“Ne rregulltarët jemi shuguruar për t’i shërbyer Zotit e për t’u shërbyer të tjerëve me Fjalën e Zotit, apo jo? Për ju lutem, thuajuni anëtarëve të rinj se lutja nuk është humbje kohe, adhurimi i Hyjit nuk është humbje kohe, lavdërimi i Zotit nuk është humbje kohe. Nëse ne rregulltarët nuk ndalemi çdo ditë para Zotit për t’u lutur pa kërkuar asgjë si këmbim, vera do të shndërrohet në uthull”.
Ati i Shenjtë vuri në dukje se Plenaria e Kongregatës është mbledhur në prag të Vitit të Jetës së Shuguruar. Prandaj, i ftoi të pranishmit t’i luten Zotit, që këtë vit, t’i ndihmojë të gjithë të shuguruarit të fusin “verë të re në shirqe të reja”:
“Shën Maria Virgjër ju shoqëroftë e nxjerrtë nga Zoti për ju hovin e ri të të ringjallurve në Krishtin e guximin e shenjtë për të kërkuar udhë të reja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.