2014-11-27 15:10:25

Papa, paolinëve: mos imitoni media, që kërkojnë spektakël me çdo kusht


Të krishterët kanë për detyrë të kumtojnë Ungjillin, pa përjashtuar askënd. Papa Françesku priti në Vatikan pjesëmarrësit e Shtegtimit të Familjes Paoline, në 100-vjetorin e themelimit nga i Lumi Giacomo Alberione. Qe rasti për të folur mbi praninë e tyre në media e për mënyrën e shpalljes së Lajmit të Mirë. Sekreti i ungjillëzimit, nënvizoi Ati i Shenjtë, është në fjalët e Jezusit, “falas keni marrë, falas jepni”:RealAudioMP3
“…që do të thotë ta komunikosh Ungjillin sipas stilit të Ungjillit, pra falas, pa biznese. Gëzimi për dhuratën e marrë, për hir të dashurisë së pastër, komunikohet me dashuri. Falas e me dashuri. Vetëm ai që e ka provuar atë gëzim mund ta komunikojë, madje, nuk mund të mos e komunikojë, sepse e mira ka gjithnjë prirjen të komunikohet… Duke e kumtuar, e mira ngjit e zhvillohet”.
Ati i Shenjtë këshilloi t’u kumtohet Ungjilli atyre që nuk e njohin Jezu Krishtin, ose atyre që e kanë refuzuar gjithnjë, pasi mund ta kërkojnë Zotin fshehtas e me nostalgji për Fytyrën e Tij. Duhet kumtuar edhe dashuria për unitetin në Kishë:
“E gjithë puna juaj, zelli apostolik, duhet të jetë plot me këtë dashuri për bashkim. Kurrë mos favorizoni konfliktet, kurrë mos imitoni si majmunë ato media komunikimi, që kërkojnë vetëm spektaklin e konfliktit e shkaktojnë shkandull në shpirt. Favorizoni gjithnjë unitetin në Kishë, bashkimin që Jezusi i kërkoi Atit si dhuratë për nusen e vet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.