2014-11-27 15:57:23

Atë Korner: Papa në Turqi, frymëzim e inkurajim për vendin


Atmosferë pritjeje plot entuziazëm në Turqi, në prag të shtegtimit të Papës Françesku. Folëm për këtë me jezuitin, atë Felix Korner, profesor i teologjisë dogmatike në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit Gregorian, specialist i islamologjisë dhe i teologjisë së dialogut ndërfetar, që jetoi gjatë në Turqi.RealAudioMP3

Përgjigje: - Për turqit, vizita e një pape nuk është vizitë e një të krishteri, por vizitë e një njeriu të fesë. Njoh shumë turq, të cilët e shikojnë Papën Françesku si përfaqësues i dëshirës së myslimanëve, të turqve, që bota të ketë një njeri bindës, vullnetmirë, njeri që beson me të vërtetë në Zotin. Shikojnë, pra, faktin, që do të kenë mes tyre një njeri të rëndësishëm, dëshmitar të Hyjit. Për Turqinë e sotme është nder, por edhe përgjigje për një pyetje tejet të rëndësishme: “Si mund të jetohet islami i vërtetë, në kushtet e botës moderne, ngarkuar me sfida, me probleme, pritje, vështirësi, e edhe me dyshime?”. Papa Françesku u jep turqve një përgjigje shumë të besueshme, që është ndihmë e vërtetë për ta. Ua jep këtë përgjigje me mënyrën si e kryen shërbesën e tij papnore, me mënyrën si predikon. U kujton se feja nuk është ide, që duhet realizuar në teokraci, feja mund të bëhet frymëzim për shoqërinë e sotme. Frymëzim, si kriter për ndërgjegjen; frymëzim, si orientim për politikanët. E feja mund të ndihmojë edhe për t’ua hapur sytë njerëzve, që të shikojnë vuajtjet, të cilat gjithnjë më shpesh nuk jemi më të zotët t’i shikojmë. Prej këndej, pika e parë është gëzimi i pritjes së një njeriu të fesë, që e jeton fenë në mënyrë të besueshme. Pika e dytë, pyetja që bëjnë turqit: “Si mund të jesh besimtar mes sfidave të modernizmit”. E ai u jep përgjigjen se feja sot është frymëzim.

Pyetje: - Gjatë etapës së Stambollit, Papa do të takohet me pakicat e krishtera. Kush janë? Si e jetojnë fenë, në një vend si Turqia?

Përgjigje: - Unë e njoh shumë mirë këtë grup të vogël të rinjsh kristianë të gjuhës turke. Atje jeton një grigjë vërtet e vogël, por me shumë guxim, me shumë shpresë, e me besimin se është në këtë vend frymëzim e kripë për mbarë shoqërinë. Ata nuk duan të kthejnë kënd në fenë e krishterë, nuk bëjnë prozelitizëm, jo! Ata e dëshmojnë fenë tonë, e dëshmojnë Krishtin, me bukurinë e me besnikërinë, e edhe me entuziazmin e tyre. Prandaj vizita e një Pape, e posaçërisht e Papës, që e ndjen kështu popullin, është edhe vizitë inkurajimi për periferitë.

Pyetje: - Këta të krishterë a hasin vështirësi në jetën e tyre të përditshme, jetuar në një vend, si Turqia?

Përgjigje: - Kanë një vështirësi në nivelin ligjor e një tjetër, në nivelin shoqëror. Në nivelin ligjor situata është në përmirësim e sipër, por deri tani Kisha katolike, për shembull, nuk njihet juridikisht. Po marrim shembullin e dioqezës së Smirnës, që nuk mund të ketë as prona tokësore e as ndërtesa të vetat. Kjo krijon akoma probleme ligjore, ndonëse nga ana a autoriteteve nuk mungon vullneti i mirë për t’i zgjidhur këto probleme. Në nivelin shoqëror nuk mund të flasim për persekutim, ndonëse të krishterët e ndjejnë një farë diskriminimi e nuk mund të mos shqetësohen për këtë.

Pyetje: - Sot Turqisë i duhet të përballojë probleme të rënda. Kujtojmë praninë e më se një milion refugjatëve sirianë të cilët, në ikje nga lufta, dynden drejt kufijve të saj që, në një farë mënyre, janë bërë edhe fortesë e Shtetit të vetëshpallur Islamik. Turqia ka nevojë për vëmendje më të madhe nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare e, ndoshta, edhe për të rifituar më shumë besim. Do të ndihmojë vizita e Papës edhe në këtë drejtim?

Përgjigje: - Të gjithë sytë janë drejtuar tashti nga Turqia, e, natyrisht, i shikojnë edhe problemet, por edhe bujarinë e turqve në pritjen e refugjatëve. Shikojnë më saktësisht e me më pak paragjykime ku duhet bërë hapi i parë për integrim më të madh e për pajtim. Po ky dëshmitar i paqes, Papa Françesku, nuk mund të mos i inkurajojë turqit që të jenë dëshmitarë e frymëzues për proceset e paqes në këtë rajon. Kjo është thirrja e tyre! Turqit e kanë këtë ndjenjë, e kanë këtë intuitë, e kuptojnë se kanë një thirrje të veçantë, e i përgjigjen me bujari. Prandaj mendoj se kjo vizitë mund të jetë një sukses i vërtetë në këndvështrimin e thirrjes të Turqisë së sotme për pajtim.









All the contents on this site are copyrighted ©.