2014-11-26 16:05:30

Papa në avion: dialogu me terroristët ndoshta i pamundur, por portat nuk duhen mbyllur kurrë


Akti i fundit i vizitës së Papës, dje, në Stasburg qe, si zakonisht, biseda me gazetarët, në avion, gjatë rikthimit në Romë. Avioni preku tokën e aeroportit të Çiampinos rreth orës 16.00.

Ungjilli e drejton Doktrinën Shoqërore të Kishës, ashtu si e drejtojnë edhe fjalët e reflektimet e Papës. E deklaroi vetë Françesku, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit nga Strasburgu. Pyetjes mbi temat e trajtuara në Parlamentin Evropian e, posaçërisht, mbi forcën shprehëse të popujve, bërë nga një gazetar kureshtar, për të ditur në se në zemrën e Atit të Shenjtë ka “ndonjë ndjenjë socialdemokrate”, Françesku, duke qeshur, iu përgjigj:
“Nuk guxoj të cilësohem si i njërës apo i tjetrës palë. Por guxoj të them se kjo vjen nga Ungjilli: ky është mesazhi ungjillor, që merr Doktrina shoqërore e Kishës. Lidhur me këtë, konkretisht, si dhe me gjëra të tjera - shoqërore e politike, që kam thënë - nuk jam shkëputur kurrë nga Doktrina shoqërore e Kishës. Doktrina shoqërore e Kishës vjen nga Ungjilli i traditës së krishterë. E kjo, që kam thënë – identiteti i popujve - është vlerë ungjillore”.
Papa theksoi, më tej, thirrjen e tij për t’i hapur zemrën së vërtetës, duke ndërtuar të mirën e përbashkët, që u duhet besuar edhe politikanëve të rinj:
“Kam parë në dialogët me politikanët e rinj, nga parti e kombe të ndryshme, këtu, në Vatikan sidomos, se ata flasin me një muzikë të ndryshme, me prirje të gjithanshme, e kjo është vlerë! Ata nuk kanë frikë të dalin nga përkatësia e tyre, pa e mohuar atë, thjesht për të dialoguar. E janë plot guxim! Besoj, prandaj, se kjo duhet imituar. E edhe dialogu ndërmjet breznish. Kjo është aftësi për të dalë nga vetvetja, për të gjetur njerëz me përkatësi të tjera e për të dialoguar me ta: Evropa ka nevojë pikërisht për këtë, sot!”.
Më pas, lidhur me pyetjen rreth shpërdorimeve seksuale, kryer nga njerëz të Kishës në Granada, denoncuar kohët e fundit nga një i ri, lidhur me kohën kur ishte ende fëmijë, Papa shpjegoi se duhet ndjekur një vijë e vetme. Ajo e së vërtetës:
E lexova lajmin, thirra vetë personin e i thashë: ‘Ti shko nesër tek ipeshkvi’, e i shkrova ipeshkvit të nisë punën, të bëjë hetime e të shkojë përpara. Si e prita lajmin? Me dhimbje, me dhimbje të thellë. Por e vërteta është e vërtetë, nuk duhet fshehur”.
Një reflektim për paqen, që plagoset tepër shpesh, pastaj, siç u shpreh edhe në Stasburg. Gazetarët e pyetën edhe nëse është i mundur dialogu me Shtetin e vetëshpallur Islamik:
“Unë nuk e quaj kurrë të humbur ndonjë gjë, kurrë. Ndoshta nuk mund të ketë dialog, po kurrë, kurrë, nuk duhet mbyllur porta. Është e vështirë, mund të thuash edhe e pamundur, por porta duhet të jetë gjithnjë e hapur”.
Gjithsesi, Papa Françesku ftoi për reflektim, lidhur me terrorizmin:
“Secili shtet, për llogari të vet, beson se ka të drejtë t’i masakrojë terroristët, e, me terroristët, bien edhe shumë njerëz të pafajshëm. E kjo është anarki e nivelit të lartë, tejet e rrezikshme. Me terrorizmin duhet luftuar, por po e përsëris atë, që kam thënë në udhëtimin e mëparshëm: kur duhet ndaluar agresori i padrejtë, kjo duhet bërë me miratim ndërkombëtar”.
Sot paqja, siç tha vetë Papa në Këshillin e Evropës, dhunohet rëndë edhe nga trafiku i qenieve njerëzore, skllavëri e re e kohës sonë, temë e trajtuar nga Ati i Shenjtë më se një herë:
Skllavëria është realitet i radhitur prej shumë kohe në indin shoqëror të sotëm. Puna e skllavit, trafiku i njerëzve, tregtia e fëmijëve: është dramë. Nuk duhet t’i mbyllim sytë para këtij shëmtimi. Skllavëria sot është realitet; ashtu si shfrytëzimi i njerëzve”.
Shtegtimi i pestë apostolik ndërkombëtar i Papës Françesku mbyllet me pyetjen e shtypit mbi impenjimet e tij të ardhshme: tani ishte në Strasburg, zemër e institucioneve evropiane; po në të ardhmen – pyesin gazetarët - thua do ta ketë radhën Franca? Nuk është bërë ndonjë plan, është përgjigjja, por sigurisht që duhet shkuar në Paris; është një propozim për Lurdë. Por, shtoi Papa, ajo që dëshiroj shumë, është të vizitoj një qytet, ku nuk ka shkelur kurrë këmba e ndonjë pape. Së fundi, edhe një mendim për Evropën:“Evropa në këtë çast më shqetëson; është mirë të ndihmohet për të shkuar përpara. E kjo, si ipeshkëv i Romës e pasardhës i Shën Pjetrit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.