2014-11-25 11:20:49

Parlamenti Evropian


Parlamenti Evropian (PE), organ legjislativ i Bashkimit Evropian (BE), është i vetmi institucion ndërkombëtar i zgjedhur drejtpërdrejt nga 508 milionë qytetarë të BE-së. Selia e tij zyrtare është në Strasburg, që nga viti 1999. Vitet e fundit Parlamenti Evropian fitoi gjithnjë më shumë pushtet e tani vepron me cilësinë e bashkë-ligjvënësit pothuajse në të gjithë sektorët e së drejtës së Bashkimit. Së bashku me Këshillin e Evropës, Parlamenti Evropian miraton ose modifikon propozimet e paraqitura nga Komisioni, kontrollon veprimtarinë e tij dhe adopton buxhetin e BE-së. Pëveç ushtrimit të këtyre kompetencave zyrtare, PE bashkëpunon ngushtësisht me parlamentet kombëtare të Shteteve anëtare të BE-së. Asambletë parlamentare të përbëra, që organizohen rregullisht, krijojnë mundësitë për integrimin më të mirë të perspektivave kombëtare në rezolutat e BE-së.
PE përbëhet nga 751 deputetë, të zgjedhur në 28 shtetet anëtare të BE-së. Nga viti 1979, deputetët zgjidhen me votime të përgjithshme të drejtpërdrejta për një periudhë prej pesë vjetësh. Secili vend i organizon votimet në atë mënyrë, që i duket më e përshtatshme, por duke garantuar barazinë ndërmjet gjinive dhe sekretin e votës. Për zgjedhjet evropiane është në fuqi sistemi proporcional. Mund të votojnë gjithë shtetasit që kanë mbushur moshën 18 vjeç, me përjashtim të Austrisë, ku votohet që në moshën 16 vjeç.
Numri i deputetëve caktohet mbi bazën e popullsisë së secilit Shtet anëtar. Gratë përbëjnë pak më shumë se një të tretën e deputetëve evropianë. Eurodeputetët grupohen sipas prirjeve politike e jo sipas kombësisë; e kalojnë kohën ndërmjet qarqeve të tyre elektorale, Strasburgut, ku Asambleja mblidhet në seancë plenare 12 herë në vit, dhe Brukselit, ku marrin pjesë në mbledhje të tjera, si dhe në mbledhjet e komisioneve dhe të grupeve politike. Kryetar i Parlamentit Evropian ëshë gjermani Martin Schulz.







All the contents on this site are copyrighted ©.