Më 25 nëntor kalendari kujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire.
Kulti i Shën Katerinës është jashtëzakonisht i përhapur. Figurën e saj e gjejmë
në bazilikën romake të Shën Lorencit, në katakombet e Shën Gjenarit në Napoli dhe
në të katër anët e Evropës, ku frymëzoi edhe shfaqje me karakter kishtar e këngë të
përshpirtërisë popullore. Festa e saj e përvitshme kremtohet si festë e të rinjve:
në Francë Shën Katerina njihet si pajtorja e studentëve të teologjisë dhe e shumë
bashkësive femërore. Është gjithashtu pajtore e vajzave që mësojnë mjeshtërinë e rrobaqepëses,
të cilat janë njohur për një kohë të gjatë me emrin "katerinette" në mbarë Evropën.
Por atë e njohin si pajtore edhe berberët, mëndeshat, vajzat në moshë të martesës,
të burgosurit e, nga që i mbaroi ditët e torturuar mbi një rrotë me thumba - edhe
të gjitha mjeshtëritë, të cilat kanë lidhje me rrotën: që nga qerrexhinjtë tek vegsharët,
nga mprehësit e thikave tek gomistët e biçiklistët. Dhjetëra piktorë janë
frymëzuar nga figura e përkryer e Shenjtores, e cila në lule të rinisë e të bukurisë,
ia fali gjithë vetveten Krishtit, duke u copëtuar mbi thumbat e rrotës, ku e kishin
lidhur. Portretin e saj e ka pikturuar edhe piktori i shquar shqiptar Lin Delija,
duke i dhënë, sipas stilit të tij, ngjyrime të forta vendase. Shenjtja e Delisë është
e veshur me kostum kombëtar shqiptar e mban në dorë një rrotë, që duket sikur ka dalë
nga punishtet e lashta ilire të rrotave. Portreti ndodhet në Kuvendin e fretërve të
Gjuhadolit në Shkodër.