2014-11-23 12:55:58

Çmimi Racinger 2014, dy studiuesve


Dje, Papa Françesku priti pjesëmarrësit e Kuvendit Misionar të Konferencës Ipeshkvnore Italiane dhe ata të Konferencës Ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, mbledhur në Romë për të folur mbi autizmin. Të pranishëm edhe vetë autistët me familjet tyre, që kaluan disa orë, duke u lutur e duke kënduar me Atin e Shenjtë, në praninë e këngëtarëve dhe autorëve të njohur italianë si Mogol, Arisa e Tazenda. Ndërkaq, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Papa Françesku u dha Çmimin Racinger 2014 Anne-Marie Pelletier, e cila jep lëndën e hermeneutikës dhe të ekzegjezës biblike, si edhe imzot Waldemar Chrostowski, biblist i impenjuar në dialogun katoliko-judaik. Anne-Marie Pelletier është gruaja e parë, që merr Çmimin Racinger, tashmë, në edicionin e tij të katërt. Ajo është zv.presidente e Shërbimit të Informacionit e të dokumentacionit judeo-kristian të Parisit, ka studiuar dhe ka shkruar shumë mbi marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve, por është marrë edhe me çështjen e rolit të gruas në krishterim. Nga ana e tij, imzot Chrostowski është redaktor i përgjithshëm i revistës polake të teologjisë “Collectanea Theologica” e, që nga viti 2004, është kryetar i Shoqatës së Biblistëve polakë. Kujtojmë se dhënia e çmimit organizohet çdo vit nga Fondacioni Vatikanas “Jozef Racinger-Benedikti XVI”, i cili synon të promovojë studiuesit më të mirë të teologjisë në të gjithë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.