2014-11-23 17:04:05

Evropa dhe nevoja e saj për drejtësi shoqërore e përshpirtëri


Atmosferë pritjeje për vizitën e Papës, të martën e ardhshme, në Strasburg, në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Evropa, nënvizon kryetari i Lëvizjes federative evropiane, Pier Virgilio Dastoli, asistent i Altiero Spinelli-t, njërit nga themeluesit e Evropës, ka shumë nevojë për mesazhin e Papës. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Mendoj se në këtë çast krize evropiane, kësaj krize, që vë posaçërisht në dukje mungesën e politikave, të cilat respektojnë dinjitetin e njeriut, ndërhyrja e Papës është me të vërtetë e rëndësishme. E kjo, që politikanët të kujtohen, më në fund, se duhet ndërruar vija, duhen ndërruar politikat, duhet ndërruar paradigma, në një farë mënyre. Besoj që ky aspekt të jetë tejet i rëndësishëm në këtë situatë, kur akoma ngurrohet, nësa flitet për domosdoshmërinë e ecjes në një rrugë tjetër, të ndryshme nga kjo e shtrëngimit të rripit, që po ndiqet në këto pesë vjetët e fundit. Besoj se në këto çaste ka shumë rëndësi për Evropën ta dëgjojë mirë mesazhin, që dëshiron t’u përcjellë Ati i Shenjtë të gjitha institucioneve evropiane, sepse sigurisht që në Parlamentin Evropian do të jetë edhe kryetari i Komisionit, e edhe kryetari i Këshillit Evropian. Ka tepër rëndësi që mesazhi të arrijë në të gjitha institucionet evropiane.

Pyetje: - Papa Françesku, në fjalimet e tij, ka gjithnjë në qendër të vëmendjes elementin e përfilljes së periferive e, natyrisht, edhe atë të vënies së njeriut në qendër të çdo veprimtarie jetësore: pikërisht këto elemente mund t’i shërbejnë në këto çaste Evropës që, me sa duket, e ka humbur sysh njeriun, duke e zëvendësuar me llogaritjet e tepruara ekonomike... Ju, si mendoni?

Përgjigje: - Absolutisht. Kjo është bisedë e rëndësishme. Diçka tjetër, që unë besoj se do të dalë në pah patjetër në fjalimin e Papës, është angazhimi i tij i madh në lidhje me cilësinë e Planetit tonë. Fjala kushtuar ambientit ka përmasë morale, e jo vetëm ekonomike. E dimë të gjithë se viti i ardhshëm do t’i kushtohet temës së ndryshimeve klimaterike: më duket shumë pozitive marrëveshja ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës lidhur me këto ndryshime. Ndërsa Evropa akoma ngurron t’i vërë në jetë propozimet, në këtë këndvështrim. Papa angazhohet fort për këtë temë, duke theksuar aspektin etik e moral e jo vetëm atë ekonomik, si bëjnë shumë të tjerë. Edhe në këtë këndvështrim besoj se mesazhi i tij mund të jetë tejet i rëndësishëm.

Pyetje: - A mund të flitet për përshpirtëri në Evropë? Pati qenë një çast, kur u duk sikur institucionet kërkonin një lloj “asnjanësie” e kishin një farë frike nga fetë, prej këndej, edhe nga përshpirtëria… ndërsa sot duket sikur jemi para rizbulimit të tyre. Mendoni edhe ju kështu?
Përgjigje: - Po, e kjo, në këtë çast, është themelore. Është themelor dialogu, që respekton karakteristikat e secilit; është themelor që roli i feve në shoqërinë tonë të bëhet një nga elementet më të rëndësishme të tolerancës e të respektit reciprok. Kujtoj se në kohë të tjera, e ka shumë mundësi që shumëkush t’i kujtojë, Jacques Delors pati krijuar nismën, të cilën e quajti “Një shpirt për Evropën”: nismë e rënë në harresë. Ndoshta duhet të rikthehemi tek fryma e kësaj nisme, që e karakterizoi gjithë presidencën e Delors. Ndërsa gjatë dhjetë vjetëve të presidencës së Barroso-s, kjo frymë u harrua fare. Besoj se, në këtë këndvështrim, do të ishte tejet e rëndësishme thirrja për rikthimin tek dialogu ndërfetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.