2014-11-21 19:41:18

Solemniteti Krishtit Mbret.


Reflektim shpirtëror në solemnitetin e Krishtit Mbret. Këtë të diele të fundit të këtij viti liturgjik, Kisha katolike ia kushton Krishtit, Mbret i Gjithësisë. Solemniteti na kujton se Krishti e zbuloi natyrën e vet të posaçme mbretërore gjatë hetimeve dramatike para Poncit Pilat. Ishte një mbret që kishte ardhur t’i çlironte njerëzit nga skllavëria e mëkatit e t’i pajtonte me Zotin. Ballë për ballë me Pilatin, Krishti pohoi se kishte ardhur në botë “që të jap dëshmi për të vërtetën”. Po për cilën të vërtetë ? Gjithë jeta e tij zbulon se Zoti është dashuri: kjo është e vërteta, për të cilën ai bëri një dëshmi të plotë me flijimin e jetës mbi Kalvar. Kryqi është ‘froni’ nga i cili e dëshmoi mbretërinë më të lartë të Zotit Dashuri: duke u flijuar për faljen e mëkateve të botës, Ai e mposhti sundimin e ‘princit të kësaj bote’ dhe ndërtoi përfundimisht Mbretërinë e Hyjit .E në se jeta e Jezusit është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë i krishteri nuk mund të mos jetë e njëjtë: rruga për të arritur në cakun-dashuri është e gjatë e nuk të lejon t’i biesh për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të vërtetën e dashurisë së Zotit. Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia nuk mund të imponohen kurrë: trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin. Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin biblik të fjalës, do të thotë plan që zbulohet pak nga pak në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.