2014-11-21 14:15:05

Papa: kërkimi i bashkimit të plotë të të krishterëve është përparësi e Kishës


Të ecim së bashku, të lutemi, ta njohim e ta duam Zotin, duke bashkëpunuar së bashku në shërbim e në solidaritet me të varfrit, të ligshtit, të vuajturit. Këtë kërkon Papa në letrën, dorëzuar pjesëmarrësve të Mbledhjes Plenare të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, që vijon në Vatikan, me temë: “Caku i ekumenizmit; parime, mundësi e sfida, 50 vjet pas Unitatis Redintegratio”. Në fjalët e Papës theksohet ftesa për ta vlerësuar e për ta njohur edhe ekumenizmin e gjakut, domethënë, dëshminë e atyre, që e ndjekin Krishtin deri në flijimin e jetës.
Kërkimi i bashkimit të plotë të të krishterëve, mbetet detyrë e radhës së parë për Kishën katolike. Mbi të gjitha, ky bashkim është dhuratë e Zotit e vepër e Shpirtit Shenjt, pa harruar se të gjithë jemi të thirrur të bashkëpunojmë përherë e në çdo rrethanë. Kështu e porosit Papa Plenaren e Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, që kremton 50-vjetorin e dekretit të rëndësishëm konciliar “Unitatis Redintegratio”. Françesku vë theksin mbi ndryshimin e thellë të mendësisë, realizuar falë këtij teksti, ashtu si dhe mësimeve të Koncilit II të Vatikanit, por i ftoi edhe shoqatat, lëvizjet e institutet e jetës rregulltare, të angazhohen më shumë në këtë kohë, për ta vënë në jetë lutjen e Jezusit drejtuar Atit në prag të mundimeve: “Që të gjithë të jemi një gjë e vetme”:
Ndërsa falënderojmë Zotin, duhet ta pranojmë se ne, të krishterët, jemi ende të ndarë e se divergjencat mbi temat antropologjike dhe etike e bëjnë më të ngatërruar rrugën tonë drejt unitetit. Gjithsesi nuk duhet të shkurajohemi e as të dorëzohemi para vështirësive, por duhet të besojmë në Zotin, që hedh në zemër të të krishterëve farë dashurie e bashkimi, për t’i përballuar me zell të ri sfidat ekumenike të kohëve tona: për të kultivuar ekumenizmin shpirtëror, për të vlerësuar ekumenizmin e gjakut, për të ecur së bashku në udhën e Ungjillit”.
Fryma armiqësore dhe indiferenca, që krijuan hendeqe, në dukje të pakapërcyeshme, e u hapën plagë të thella të krishterëve të Kishave të ndryshme e bashkësive kishtare, tashmë i takojnë së kaluarës, pohon Ati i Shenjtë, duke shprehur kënaqësinë për tharmin e ri, për bashkëpunimin e ri, për pajtimin e bashkimin ndërmjet gjithë besimtarëve. Sot, vijon Shenjtëria e Tij, të krishterët vihen së bashku në shërbim të njerëzimit të vuajtur e nevojtar, punojnë bashkë për mbrojtjen e jetës njerëzore në dinjitetin e saj të padhunueshëm, për mbrojtjen e gjithësisë e kundër padrejtësive, që mundojnë njerëz e popuj, duke e realizuar faktikisht ekumenizmin e vërtetë shpirtëror:
Ekumenizmi shpirtëror jeton e zhvillohet përmes kanaleve të panumërta, që i shikon vetëm Zoti, por që shpesh edhe ne kemi gëzimin t’i njohim: është një rrjet botëror çastesh lutjeje, i cili që nga niveli famullitar tek ai ndëkombëtar, përhap në korpin e Kishës oksigjenin e frymës së vërtetë ekumenike; një rrjet gjestesh, në të cilat bashkohemi për të kryer, krah për krah, një mori veprash të dashurisë së krishterë”.
Akoma më shumë, theksoi Papa, ashtu si na mëson Unitatis Redintegratio, duhet të mësohemi për të vlerësuar ekumenizmin e gjakut: domethënë, të mësohemi për të njohur aftësinë e vëllezërve e motrave të Kishave e të bashkësive të tjera për ta dëshmuar Zotin deri në flijimin e vetë jetës, duke pasur mirë parasysh se kush i persekuton të krishterët, nuk bën kurrfarë dallimi:“Dëshmi të tilla nuk kanë munguar kurrë në këto 50 vjet e vijojnë edhe në ditët tona. Na takon ne t’i pranojmë me e fe të lutemi që forca e tyre të na shtyjë të ecim në udhën e vëllazërimit të plotë. Ata, që e persekutojnë Krishtin në besimtarët e tij, nuk pyesin për ndryshimet ndërmjet konfesioneve: i salvojnë thjesht sepse janë të krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.