2014-11-18 14:51:37

Delegacioni shqiptar i Komitetit Shtetëror për Kultet për vizitë në Vatikan


Zëvendës Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet priti sot në Vatikan një delegacion nga Shqipëria. Mons. Antoine Camilleri, shoqëruar nga mons. Henryk Jagodzinski u takua me kryetarin e Komitetit Shtetëror të Shqipërisë për Kultet, zotin Ilir Hoxholi, me Përgjegjësin për Marrëdhëniet me Jashtë të këtij Komiteti, ish-Ambasadorin e Shqipërisë pranë Vatikanit, zotin Rrok Logu dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, zonjën Julinda Dhame.
Gjatë takimit të përzemërt, u kujtua dhe vlerësua vizita e Atit të Shenjtë Françesku në Tiranë, në shtatorin e kaluar, si ngjarje madhore për Shqipërinë, e cila la një kujtim të pashlyeshëm tek shqiptarët dhe nxori në dritë vlerat më të shtrenjta e fisnike të kombit. Pikërisht duke u nisur nga fjalët që Papa Françesku tha në Tiranë, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë vëllazërinë ndërfetare tek shqiptarët, delegacioni i Shqipërisë kërkoi nga Selia e Shenjtë, që në një të ardhme, në Tiranë, të organizohet një nga takimet ndërkombëtare mbi dialogun dhe bashkëjetesën fetare.
Një argument tjetër që u trajtua gjatë takimit, ishte njohja e vendeve të kultit, të monumenteve kulturore e të vendeve turistike të Shqipërisë, përmes organizimit të shtegtimeve ndërkombëtare, që agjencia Romana Pellegrinaggi e Selisë së Shenjtë organizon me besimtarë e turistë nëpër Vende të ndryshme të botës. Për Shqipërinë, kjo tani është e mundur, pikërisht në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit, nënshkruar më 15 prill 2011, gjatë mandatit diplomatik të zotit Rrok Logu, ndërmjet Romana Pellegrinaggi të Selisë së Shenjtë dhe Ministrisë së Kulturës, Turizmit e Sporteve të Shqipërisë.
Po më tepër mbi takimin e sotëm në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë zotin Ilir Hoxholin.......RealAudioMP3 ..dhe zonjën Julinda Dhame....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.