Papa në SHBA: njoftimi zyrtar, ndoshta, në shkurt-mars
Datat zyrtare të vizitës së mundshme të Papës në SHBA dhe në Pallatin e Qelqit të
OKB-së, ka shumë mundësi të bëhen të njohura ndërmjet shkurtit e marsit të ardhshëm.
Sipas Protokollit të Selisë së Shenjtë, njoftimi do të duhej të arrinte gjashtë muaj
para vizitës. Kështu deklaroi, për agjencinë ANSA, vëzhguesi i përhershëm i Selisë
së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvi Bernarditto Auza. Ka shumë mundësi që Papa
t’i vizitojë SHBA-të me rastin e Asamblesë së ardhshme të Përgjithshme, që do të
mblidhet në Pallatin e Qelqit me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës
ndërkombëtare, shpjegoi Nunci, gjatë paraqitjes së ekspozitës kushtuar Shën Françeskut,
që do të përurohet të hënën e ardhshne në OKB. Ndërmjet etapave të shtegtimit
papnor në SHBA, mendohet të jenë kryesisht ajo Washingtonit dhe Filadelfias. “Besoj
se do të vijë këto ditë edhe në New York, e sigurisht, me këtë rast, do të flasë nga
tribuna e Asambelsë së Përgjithshme”, sipas imzot Auzës. “Pa harruar se tani për
tani gjithë këto janë ende hamendje, ne shpresojmë” – shtoi sekretari i përgjithshëm
i OKB-së, Ban Ki-moon, që ia drejtoi Françeskut ftesën zyrtare përmes sekretarit të
Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, me rastin e asamblesë së kaluar
të përgjithshme.