2014-11-17 12:40:13

Papa: fëmijët kanë të drejtë të kenë babë e nënë, jo familje ideologjike


“Fëmijët kanë të drejtë të rriten në një familje, me një babë e me një nënë, të aftë të krijojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin dhe maturimin e ndjenjave të tyre”: kështu tha Papa Françesku në takimin me pjesëmarrësit e Kuvendimit ndërkombëtar mbi përplotësimin e burrit me gruan, organizuar në Vatikan nga Kongragata për Doktrinën e Fesë. Ati i Shenjtë nënvizoi se nuk duhet ta përkufizojmë familjen, duke u nisur nga koncepte ideologjike, që karakterizojnë vetëm një çast historik e më pas, lihen mënjanë. Familja është çështje antropologjike, që ka të bëjë me fatin e njeriut. RealAudioMP3
Papa u ndal në fjalën “përplotësim”, kuptimi i së cilës shpjegohet farë mirë në Letrën e parë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve. Aty thuhet se Shpirti Shenjt e ka pajisur secilin prej nesh me dhurata personale, që mund të plotësojnë njëra-tjetrën, ashtu si çdo gjymtyrë e njeriut kontribuon për të mirën e krejt trupit. Fjala kyçe për të kuptuar këtë bashkëpunim është “harmonia” e pikërisht Shpirti Shenjt arrin të krijojë “harmoninë” e Gjithësisë, sepse Zoti – autor i Krijimit – i ka bërë gjërat në mënyrë të tillë, që të plotësojnë njëra-tjetrën. Kështu, edhe ndërmjet burrit e gruas, theksoi Papa Françesku.
Përplotësimi ndërmjet tyre është baza e familjes, shkolla e parë ku vlerësojmë dhuratat e Zotit për ne e për të tjerët, ku mësojmë artin e të jetuarit të gjithë së bashku, ku thithim vlerat e idealet e ku shprehim virtytet e dashurinë. Familjet, vuri në dukje Papa, janë edhe vende ku ndihet tensioni ndërmjet egoizmit e altruizmit, ndërmjet arsyes e pasionit, ndërmjet dëshirave të menjëhershme e objektivave afatgjatë… Por, në gjirin e familjes, gjehet edhe zgjidhja për këto tensione:
“Kur flasim për përplotësim ndërmjet burrit e gruas në këtë kuadër, nuk duhet ta ngatërrojmë këtë term me idenë e thjeshtëzuar se të gjitha rolet dhe marrëdhëniet e të dyja sekseve përmblidhen në një model unik e statik. Përplotësimi përmban shumë forma, sepse çdo burrë e çdo grua sjell kontributin personal në martesë dhe në edukimin e fëmijëve. Sjell trashëgiminë e vet personale, karizmën personale e kështu, përplotësimi kthehet në pasuri të madhe. E jo vetëm është pasuri, por edhe bukuri”.
Në kohët që jetojmë, vuri në dukje Ati i Shenjtë, familja e martesa janë në krizë. Mbizotëron kultura e së përkohshmes, ku gjithnjë e më shumë njerëz heqin dorë nga martesa si impenjim publik:
“Ky revolucion i zakoneve dhe i moralit bëhet shpesh duke valëvitur flamurin e lirisë(në thonjza), por, në të vërtetë, ka sjellë shkatërrimin shpirtëror e material për njerëz pa fund, sidomos për më të brishtët. Është e qartë gjithnjë e më tepër se rënia e kulturës së martesës shoqërohet me rritjen e varfërisë e me një sërë problemesh të tjera shoqërore, që dëmotojnë sidomos gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Janë pikërisht ata, që vuajnë më shumë në këtë krizë. Kriza e familjes ka sjellë krizën e ekologjisë njerëzore, sepse ambientet shoqërore, ashtu si ambientet natyrore, kanë nevojë të mbrohen. Megjithëse njerëzimi e ka kuptuar tashmë nevojën për t’u përballur me gjithçka përbën kërcënim për ambientin natyror, jemi të ngadalshëm – vërtet të ngadalshëm eh, edhe ne, të kulturës katolike – jemi të ngadalshëm e mezi e kuptojmë se edhe ambienti shoqëror është në rrezik. Prandaj, është e domosdoshme të promovohet një ekologji e re njerëzore”.
Duhet të kujdesemi më shumë për shtyllat themelore, mbi të cilat ngrihet një komb, nënvizoi Papa Françesku. E këto janë pasuritë jomateriale:
“Familja mbetet themeli i bashkëjetesës dhe i garancisë kundër shpërbërjes shoqërore. Fëmijët kanë të drejtë të rriten në një familje, me babë e nënë, të aftë të krijojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin dhe për maturimin e ndjenjave të tyre. Për këtë arsye, në Nxitjen Apostolike ‘Evangelii gaudium’, e kam theksuar kontributin ‘e domosdoshëm’ të martesës në shoqëri, kontribut, që ‘shkon përtej nivelit të emocioneve dhe të nevojave, që kanë të bëjnë me çiftin’ (n.66)”.
Papa shprehu mirënjohjen që në Kuvendimin në vijim në Vatikan, theksohen të mirat, që martesa u sjell fëmijëve, vetë bashkëshortëve dhe shoqërisë. I ftoi pjesëmarrësit të venë në dukje një të vërtetë tjetër për familjen, faktin se solidariteti, besnikëria dhe dashuria e anëtarëve të saj janë përgjigjja për dëshirat më të thella të zemrës njerëzore. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për të rinjtë, të cilët duhet të dinë të shkojnë kundër rrymës, theksoi Ati i Shenjtë:
“Nuk duhet të biem në kurthin e atyre, që na gjykojnë me koncepte ideologjike. Familja është çështje antropologjike e si rrjedhojë, edhe çështje shoqërore, kulturore… E ne nuk mund ta cilësojmë me koncepte të natyrës ideologjike, të cilat mbizotërojnë në një çast të historisë e, pastaj, bien. Sot, nuk mund të flitet për familje konservatore, ose për familje progresiste: familja është familje. Të mos lejojmë ta cilësojnë kështu, duke u nisur nga ky, apo ai koncept, me natyrë ideologjike. Familja është e tillë në vetvete, ka forcë në vetvete”.
Në fund, Papa Françesku ripohoi se në shtator 2015 do të shkojë në Filadelfia të SHBA-ve për Takimin Botëror të Familjeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.