2014-11-17 12:41:14

Papa Françeku në Kastel Gandolfo për bekimin e dy skulpturave


Të diel, më 16 nëntor, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shkoi me automobil, në formë private, në Vilat Papnore të Kastel Gandolfos, ku mori pjesë në përurimin e dy skulpturave prej hekuri, realizuar nga artisti argjentinas, Alejandro Marmo.
Papa e kaloi drekën në zonën e fermës, në shoqëri me kardinalin Bertello, Kryetar i Governatoratit, me familjen e autorit të veprave të artit dhe disa persona të tjerë.
Pastaj shkoi në këmbë pranë heliportit, ku u takua me një grup prej 40 vetësh, të njohur të tij, ardhur nga Argjentina e bekoi dy veprat e artit.
Pasdite u kthye me auto në Vatikan. Gjatë udhës, u ndalua në Klinikën Piu XI, ku vizitoi kardinalin Jorge Maria Mejia, i shtruar aty prej disa ditësh.
Posa arriti në Vatikan, shkoi drejtpërdrejt në Shtëpizën Piu IV, seli e Akademisë së Shkencave, ku ishte në zhvillim e sipër një simpozium ndërkombëtar të rinjsh, të angazhuar në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Këtu u prit nga kancelari, Imzot Sanchez Sorondo, u drejtoi disa fjalë pjesëmarrësve, rreth gjashtëdhjetë vetë e pastaj i përshëndeti personalisht.
Pak pas orës 16.00, Papa ishte në Shtëpinë e Shën Martës.







All the contents on this site are copyrighted ©.