2014-11-17 16:30:25

Papa, ipeshkvijve të Zambies: të mbrohet familja nga rrymat, që e kërcënojnë


Të mbrohet familja e krishterë nga rrymat, që e kërcënojnë. Kjo ishte thirrja e Papës Françesku, në fjalimin dorëzuar ipeshkvijve të Zambies, të cilët u pritën sot nga Ati i Shenjtë, në kuadrin e vizitës së tyre “ad Limina”. Papa nënvizoi edhe një herë, ashtu si në takimin e mëparshëm me pjesëmarrësit e Kuvendimit mbi familjen, se kur familja është në rrezik, kërcënohet edhe feja.
Duke iu referuar kontinentit afrikan, Ati i Shenjtë vuri në dukje se shpesh, të varfërit, ose ata që luftojnë për të mbijetuar, tërhiqen nga premtime të rreme, të cilat duket sikur u ofrojnë ngushëllim në kohë dëshpërimi. U kërkoi meshtarëve të formojnë familje të krishtera, që t’i kuptojnë më thellë të vërtetat e fesë, t’u qëndrojnë më afër të rinjve, të cilët duhet të gjejnë në familje, shtëpinë e tyre shpirtërore. Jeta martesore, nënvizoi më tej Papa, plotësohet me lindjen e fëmijëve, bekim prej Zotit. E këtu, Ati i Shenjtë nuk harroi problemet e familjes në kontinentin afrikan, duke filluar nga të sëmurët me Sidë e deri tek varfëria e skajshme. I këshilloi ipeshkvijtë të mos shkurajohen e t’i rezistojnë kulturës materialiste, duke u përpjekur për plotësimin e nevojave të vërteta të popullit.







All the contents on this site are copyrighted ©.