2014-11-17 10:26:48

Françesku për tensionin, në Romë, ndërmjet banorëve e emigrantëve: larg tundimit të ndeshjes


Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi tensionet mjaft të forta, që shpërthyen këto ditë në Romë, ndërmjet banorëve dhe emigrantëve. Janë fakte, pohoi Papa, që vërehen në qytete të ndryshme evropiane, posaçërisht në lagjet periferike, ku nuk mungojnë një mori problemesh. I ftoi institucionet e të gjitha niveleve, t’i shikojnë si probleme të dorës së parë, që tashmë përbëjnë një emergjencë shoqërore e që, po të mos zgjidhen me kohë e si duhet, krijojnë rrezikun e degjenerimit të mëtejshëm:
“Bashkësia e krishterë të impenjohet në mënyrë konkrete që të mos ketë ndeshje, po takim. Qytetarë e emigrantë, me përfaqësuesit e institucioneve, mund të takohen edhe në një sallë të famullisë e të flasin së bashku për gjendjen. Rëndësi ka të mos i nënshtrohen tundimit të ndeshjes e të rrinë larg dhunës. Është e mundur të dialogohet, të dëgjohet zëri i të dyja palëve, të projektohet së bashku e, në këtë mënyrë, të kapërcehet dyshimi dhe paragjykimi e të sigurohet një bashkëjetesë gjithnjë më e sigurt, paqësore, në të cilën ka vend për të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.