2014-11-16 17:33:27

Papa në Engjëllin e Tënzot: feja jonë të jetë në dobi të të tjerëve, të mos e mbajmë të mbyllur në kasafortë


Pasuritë që morëm nga Zoti, nuk duhen mbajtur në kasafortë, por duhen përdorur për të tjerët: këtë theksoi sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Mijëra shtegtarë, të pranishëm rreth Atit të Shenjtë, në Sheshin e Shën Pjetrit.RealAudioMP3

Në qendër të vëmendjes, në Engjëllin e Tënzot, shëmbëlltyra e talenteve, propozuar nga Liturgjia e së dielës. Talentet, sipas këtij fragmenti ungjillor, shpjegoi Papa, nuk janë cilësitë individuale, por pasuria, që na beson Zoti: Fjala e Tij, Eukaristia, besimi në Atin qiellor, ndjesa e Tij, domethënë, pasuritë e Tij më të çmuara, që ne jemi të thirrur t’i shumëfishojmë. Kështu, vrima e hapur në dhe nga shërbëtori i lig e përtac, tregon frikën nga rreziku, që e bllokon krijimtarinë dhe pjellorinë e dashurisë:
Jezusi nuk na kërkon ta ruajmë hirin e Tij në kasafortë, por dëshiron ta përdorim në dobi të të tjerëve. Gjithë të mirat, që kemi marrë, janë për t’ua dhënë të tjerëve, e kështu shtohen. Është njëlloj sikur të na thoshte: ‘Ja, merre mëshirën time, dhembshurinë time, ndjesën time: merri e përdori sa më mirë’. E ne, çfarë bëmë? Kujt ‘ia ngjitëm’ fenë tonë? Sa njerëz inkurajuam me shpresën tonë? Sa dashuri ndamë me të afërmin tonë? Janë pyetje që na bën mirë t’ia drejtojmë vetes. Çfarëdo lloj mjedisi, edhe më i largti e më i papraktikueshmi, mund të bëhet truall, ku mund të frytojnë talentet”.
Pra, vijoi Papa, nuk ka situata, as vende, ku nuk mund të depërtojë prania e dëshmisë së krishterë, sepse as situatat e as vendet, nuk janë kurrë të mbyllura, por gjithnjë të hapura:
Kjo shëmbëlltyrë na nxit të mos e fshehim fenë tonë, të pohojmë me zë të lartë se i përkasim Krishtit e të mos e groposim Fjalën e Ungjillit, por ta bëjmë të qarkullojë në jetën tonë, në marrëdhëniet tona, në situatat konkrete, si forcë, që vë në krizë, që pastron, që përtërin”.
Kjo, nënvizoi Ati i Shenjtë, vlen edhe për faljen, të cilën Zoti na e dhuron posaçërisht në Sakramentin e Rrëfimit:
“Mos ta mbajmë të mbyllur brenda nesh, por ta lëmë të shpërthejë me vrull, që t’i shembë muret e ngritura nga egoizmi ynë, të na nxisë ta bëjmë hapin e parë në lidhjet e bllokuara e të rinisim dialogun, atje ku nuk ka më komunikim”.
Zoti, vërejti më pas Papa, nuk u jep të gjithëve të njëjtat gjëra e as në të njëjtën mënyrë:
“Na njeh personalisht e na beson atë, që është e drejtë për ne; por në shpirtin e të gjithëve vë të njëjtin besim pa cak. Zoti na beson. Zoti shpreson në ne. Beson e shpreson në të gjithë, njëlloj! Të mos e zhgënjejmë! Të mos gënjehemi nga frika, por t’i përgjigjemi besimit me besim”.
Virgjëra Mari, vijoi Papa, e mishëron këtë sjellje në mënyrën më të bukur e më të plotë. Ajo mori e pranoi dhuratën më të lartë, vetë Jezusin, e, nga ana e saj, ia dhuroi njerëzimit me bujari zemre. Asaj t’i lutemi të na ndihmojë të jemi shërbëtorë të mirë e besnikë, për të marrë pjesë në gëzimin e Zotit.
Së fundi Papa i nxiti besimtarët ta rilexojnë e ta rimeditojnë shëmbëlltyrën e talenteve (Mt 25,14-30) si rrëmim ndërgjegjeje, për të parë nëse i mbajmë për vete pasuritë e Zotit, apo i përdorim për të të tjerët.








All the contents on this site are copyrighted ©.