2014-11-16 17:33:47

Françesku: aborti dhe eutanazia janë dhembshuri e rreme; fëmijët nuk “prodhohen”


Papa Françesku mbajti dje një fjalim plot pasion në mbrojtje të jetës njerëzore, gjatë takimit me Shoqatën e mjekëve katolikë italianë. Vërejti se duhet flakur tutje mëshira e rreme, që propozon abortin, eutanazinë dhe “prodhimin” e fëmijëve. Jeta, theksoi, është gjithnjë e shenjtë e njerëzit nuk mund të trajtohen kurrë si kafshë për eksperimente.RealAudioMP3
Duhet të impenjohemi, prandaj, për mjekimin e njeriut, pa harruar kurrë se jeta është e shenjtë e dinjiteti i njeriut, i padhunueshëm. Françseku pohoi me forcë se misioni i Kishës lidhet ngushtë edhe me jetën njerëzore, posaçërisht kur njeriu kalon çaste të vështira:
“Kisha ndjen edhe thirrjen të marrë pjesë në diskutimin, që ka si objekt jetën njerëzore, duke paraqitur propozimin e vet, bazuar mbi Ungjillin”.
Në shumë mjedise, shtoi, cilësia e jetës lidhet kryesisht me mundësitë ekonomike, me mirëqenien, bukurinë, me kënaqësitë e jetës fizike, duke i harruar fare përmasat e tjera më të thella, relacionale, shpirtërore e fetare të saj:
Në të vërtetë, në dritën e fesë e të arsyes së shëndoshë, jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë, gjithnjë “cilësore”. Nuk ka jetë njerëzore, që të jetë më e shenjtë se një tjetër, siç nuk ka jetë njerëzore cilësisht më domethënëse se një tjetër, vetëm sepse ka më shumë mjete, të drejta, mundësi ekonomike e shoqërore”.
Jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë, e vlefshme, e padhunueshme:
“Mendimi sundues nganjëherë propozon një mëshirë të rreme: abortin, të cilin e shikon si ndihmë ndaj gruas, e edhe eutanazinë; ashtu si e quan fitore shkencore “prodhimin” e një fëmije, që shikohet si e drejtë, në vend që të pranohej si dhuratë; ose përdorimin e jetëve njerëzore si kafshë laboratori, me pretendimin se kështu mund të shpëtohen jetë të tjera. Ndërsa dhembshuri ungjillore është ajo, që të shoqëron në çastin e nevojës, ajo e Samaritanit të Mirë, që shikon, ka mëshirë, afrohet e jep ndihmë konkrete”.
Misioni juaj si mjekë, vijoi Papa, ju vë ditë për ditë në lidhje me forma të ndryshme të vuajtjes: ju ikurajoj, prandaj, t’i merrni mbi vete, si samaritanë të mirë:
“Besnikëria ndaj Ungjillit të jetës dhe respektimi i saj, si dhuratë e Hyjit, nganjëherë kërkon marrjen e vendimeve guximtare, që shkojnë kundër rrymës e që, në rrethana të veçanta, mund të arrijnë edhe në kundërshtim për arsye të ndërgjegjes”.
Më pas, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa shtoi, me qortim të thellë:
Por të eskperimentosh është keq. Të ‘bësh’ fëmijë, në vend që t’i pranosh si dhuratë, është keq. Është të luash me jetën. Kini mendjen, eh? Se ky është mëkat kundër Krijuesit: kundër Hyjit Krijues, që i krijoi gjërat kështu”.
Françesku kujtoi se, që kur ishte meshtar, pati dëgjuar shumë herë vërejtje të ndryshme për abortin, nga njerëz, që e shikonin si problem fetar. Jo, pohoi Papa, nuk është problem fetar, e as filozofik:
Është problem shkencor, sepse kemi të bëjmë me një jetë njerëzore e nuk lejohet ta zhdukësh jetën njerëzore, për të zgjidhur një problem. ‘E po jo, mendimi modern…’. Nuk duhet harruar se si në mendimin e lashtë, ashtu edhe në atë modern, fjala ‘të mbytësh’ ka të njëjtin kuptim. E njëjta gjë vlen për eutanazinë e fshehur. Por ka edhe më, apo jo? E kjo është t’i thuash Zotit: ‘Jo, fundin e jetës e caktoj vetë, si të dëshiroj…’. Mëkat kundër Hyjit Krijues, mendojeni mirë këtë!”.Françesku e përfundoi fjalimin duke e inkurajuar shoqatën e mjekëve katolikë të vijojë në rrugën e nisur 70 vjet më parë, gjithnjë në shërbim të jetës, në dinjitetin, shenjtërinë e pacënueshmërinë e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.