2014-11-14 14:30:55

Papa: përballë krizës, të shikohet njeriu, jo burokracia


“Në gjendjen aktuale të krizës, është e nevojshme, më shumë se kurrë, të ndihmohen njerëzit, duke vlerësuar arsyet e dinjitetit njerëzor, përballë ngurtësisë së burokracisë”: këtë theksoi Papa, duke u takuar, në Sallën e Palit VI, me pjesëmarrësit e Kongresit botëror të komercialistëve.
Sot, tha në vijim, puna mbetet problem kyç: jemi përballë realitetit dramatik të një mori njerëzish, që kanë punë të pamjaftueshme ose që e kanë humbur fare. Përballë një mori familjesh, që i paguajnë pasojat; përballë shumë të rinjve, në kërkim të punësimit të parë e të vijimit të punës dinjitoze. Të shumtë janë ata, e sidomos emigrantët, të cilëve u mungojnë garancitë më fillestare juridike dhe ekonomike, sepse detyrohen të punojnë ‘punë të zeza’.
Në këtë kontekst, vijoi, është më i fortë tundimi të mbrosh interesat vetjake, sesa të shqetësohesh për të mirën e përbashkët, pa e vrarë shumë mendjen për drejtësinë e ligjshmërinë. Prandaj u kërkohet të gjithëve, e posaçërisht ushtruesve të profesionit që ka të bëjë me funksionimin e mirë të jetës ekonomike të një vendi, të luajnë rol pozitiv, konstruktiv, në kryerjen e përditshme të punës së tyre, duke e pasur mirë parasysh se pas çdo karte, është një histori, është një fytyrë njerëzore. Në këtë detyrë, profesionisti i krishterë e kryen mirë punën e tij, me aftësinë për të shkuar përtej…:
… gjë që do të thotë ta ndihmosh njeriun në vështirësi; të ushtrosh atë krijimtari, që të lejon të gjesh rrugëzgjidhje në situata të bllokuara; të vlerësosh arsyet e dinjitetit njerëzor, përballë ngurtësisë së burokracisë”.
Është e nevojshme, vërejti Papa, të vihet gjithnjë në qendër njeriu, me dinjitetin e tij, duke iu kundërvënë dinamikave, që priren të pranojnë gjithçka e të venë në majë të majës paranë:
“Kur paraja bëhet qëllimi e arsyeja e çdo veprimtarie, e çdo nisme, atëhere fiton epërsi optika e dobisë si dhe logjikat e egra të fitimit, që nuk i respekton personat, me një pasojë shumë të përhapur: rënien e vlerave të solidarietit e të respektit për njeriun. Ata që punojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë e të financës, janë të thirrur të zgjedhin rrugë, të cilat favorizojnë mirëqenien shoqërore dhe ekonomike të mbarë njerëzimit, duke u krijuar të gjjthëve mundësi për ta relizuar zhvillimin e tyre”.
Papa Françesku i inkurajoi komercialistët të punojnë gjithnjë me përgjegjësi, të favorizojnë marrëdhëniet e ndershmërisë e të drejtësisë e, po të jetë e mundur, edhe të vëllazërisë, duke përballuar me guxim, posaçërisht problemet e njerëzve më të ligësht e më të varfër:
“Nuk mjafton t’u japësh përgjigje konkrete problemeve ekonomike e materiale, duhet nxitur e kultivuar etika e ekonomisë, e financës dhe e punës; duhet mbajtur gjallë vlera e solidarietit – e kësaj fjale, që rrezikohet të dalë fare jashtë fjalorit, sot: solidarietet…- solidaritet, parë si sjellje morale, si shprehje e vëmendjes për tjetrin në çdo kërkesë të tij legjitime”.
Duhet globalizimi i solidaritetit, përfundoi Papa, në harmoni me ndihmën. Falë efektit të këtyre dy parimeve, proceset shkojnë në shërbim të njeriut e shtohet drejtësia, pa të cilën nuk mund të ketë paqe të vërtetë e të qëndrueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.