2014-11-14 14:18:40

Papa Françesku: t’u jepen fëmijëve shembuj feje, jo fjalë


Për t’ua transmetuar fenë fëmijëve e të rinjve të sotëm e për t’i ndihmuar të provojnë përvojën e vërtetësisë e të dashurisë, të rriturit duhet t’u japin më shumë shembuj, sesa fjalë. E pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë e një grupi të madh fëmijësh e adoleshentësh të një famullie romake.

Si mund t’u përçohet feja të lindurve në epokën dixhitale? Me mënyrën, e cila mund të bëjë më shumë përshtypje mbi ata, që jetojnë vazhdimisht të nxitur nga figura: me shembull. Ditën kur bankat e Kapelës së Shën Martës të krijojnë përshtypjen e një DBR-je të vogël, me grupin e madh të fëmijëve të njërës nga famullitë romake, që pas ndrojtjes fillestare, krijon një atmosferë plot gjallëri, Françesku nis e u flet si katekist e, njëherësh, si formues katekistësh. Të duhet sikur është “Mesha e fëmijëve”, thotë, e duke i shikuar fëmijët, vijon: është si të shikosh një premtim! Si të shikosh botën, që do të vijë. Po ardhmërisë sonë, pyet Papa, çfarë do t’i lëmë?”:
“A e mësojmë atë, që dëgjuam në Leximin e parë: të ecim në dashuri e vërtetësi? Apo e mësojmë me fjalë, nësa jeta jonë shkon në një drejtim tjetër? Po ne kemi përgjegjësi për fëmijët! I krishteri duhet të kujdeset për fëmijët, për të vegjlit, e t’ua përcjellë fenë, t’ua përcjellë atë që jeton, që e ka në zemër. Nuk mund t’i harrojmë filizat e rinj, në rritje”.
Gjithçka, pohoi Papa Françesku, varet nga qëndrimi i drejtë, që duhet mbajtur ndaj fëmijëve. E si sillem unë me ta? - pyeti akoma Papa. - Sillem si vëlla, si atë, si nënë, si motër, që e bën fëmijën të rritet, apo sjellja ime është e akullt: “ata rriten, unë shikoj jetën time…?”:
Të gjithë kemi përgjegjësi të japim ç’kemi më të mirë, e gjëja më e mirë që kemi, është feja: duhet t’ua japim, e t’ua japim me shembull! Me fjalë s’vlen gjë, me fjalë…. Sot fjalët nuk duhen gjë! Në këtë botë figurash, të gjithë fëmijët e kanë telefoninin e fjalët nuk u shërbejnë… Shembulli! Shembulli! Ç’u jap atyre?”.
Në këtë ças nis dialogu. Papa fillon t’i pyesë fëmijët pse janë aty, në Meshë, e ndonjëri merr guximin e i gjegjet: “Për t’Ju parë Juve?”. Papa Françersku ia kthen: “Edhe mua më pëlqen t’ju shikoj” e, më pas, i pyet nëse e kanë marrë Kungimin e Parë e Krezmimin e u kujton të gjithëve se Pagëzimi hap portën e jetës së krishterë e, menjëherë pas, nis një udhë, që vijon gjithë jetën. Rruga e përshkruar në fragmentin e Letrës së Gjonit, dëgjuar pak më parë: “Të ecësh në vërtetësi e në dashuri”. Pastaj, vijoi Papa, do të arrijmë tek sakramentet e tjera, si martesa. Por këtë udhë, vijoi të shpjegojë Ati i Shenjtë, duhet të dish ta përshkosh e ta jetosh, ta jetosh me Jezusin”:
“Në këto Sakramente – ju pyes – lutja a është Sakrament? … Fort!.. Jo! Është e vërtetë, jo! Lutja nuk është Sakrament, por ne duhet të lutemi. Nuk e dini se duhet të lutemi? Ja, pra, mirë… Po! T’i lutemi Zotit, t’i lutemi Jezusit, t’i lutemi Zojës, që të na ndihmojnë në këtë udhë të së vërtetës e të dashurisë. E kuptuat? Erdhët për të më parë, kush nga ju e tha këtë? Ti? Është e vërtetë. Po dhe për të parë Jezusin. Dakord? Apo e lëmë mënjanë Jezusin? (fëmijët: ‘Jo!’). Tani do të vijë Jezusi mbi elter. E do ta shikojmë të gjithë! Është Jezusi! Në këtë çast duhet t’i lutemi Jezusit të na mësojë të ecim në vërtetësi e dashuri. Ta themi së bashku? (gjithë bashkë) ‘Të ecim në vërtetësi e dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.