Kongresi Manastirit 14-22 nëntor 1908 ku lindte alfabeti i sotëm i shqipes
Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për
problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe
u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"... ardhi
një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për
mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë,
andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë
qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante Mid'hat bej
Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve
nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ndër pjesëmarrësit e
shquar qenë Atë Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë
Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami
nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri.
Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e Atë Gjergj
Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit
menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të
unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj frymne qe Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që
i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në,
por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm. Tre alfabetet
kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të
Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të
Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar
nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit,
kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik
për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy
alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti
arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan
ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi
të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e
të Stambollit. Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi
nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin
për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë
nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar
në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat
për formimin e gjuhës letrare shqipe.